BE-ja dhe Turqia kërkojnë që të ulen tensionet në mes Indisë dhe Pakistanit
Qeveria e Indisë ka revokuar një pjesë të kushtetutës që i jep status të veçantë Kashmirit të administruar nga India, duke shkaktuar frikë për trazira të mundshme.
Bota
Neni 370 është i ndjeshëm sepse garanton një autonomi të konsiderueshme për shtetin me shumicë myslimane, njofton Klan Kosova.
Bashkimi Evropian tha se po vëzhgonte nga afër situatën dhe bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të tensioneve në Indi dhe Pakistan.
“Mesazhi ynë kryesor është të themi se është shumë e rëndësishme të shmangni çdo përshkallëzim tensioni në Kashmir dhe në rajon”, tha Carlos Martin Ruiz de Gordejuela, zëdhënës i BE-së për Punët të Jashtme.
Ai vuri në dukje se çështja ka dimensione juridike dhe politike, raporton Al Jazeera.
Edhe Turqia ka kërkuar që të ulen tensionet.
“Shteti turk po i ndjek me vëmendje zhvillimet shqetësuese”, tha presidenti Reccep Tayip Erdogan.
Deklaratat e Erdogan erdhën në Konferencën e 11-të të Ambasadorëve në Turqi në Ankara, ku diplomatët turq dhe zyrtarët e huaj mblidhen çdo vit për të diskutuar politikën e jashtme.
Erdogan tha se ai kishte një bisedë telefonike “të frytshme” me kryeministrin pakistanez Imran Khan dhe se Ankaraja do të kontaktonte me kryeministrin e Indisë Narendra Modi me shpresën se do të zvogëlonte ngritjen e tensioneve në rajon.