BE duhet t’i lejojë Kosovës udhëtimin pa viza

10:46 | 13 Shkurt 2019

Foto nga: Behgjet Pacolli

BE më në fund duhet të bëjë gjënë e duhur lidhur me premtimin e saj të shpeshtë për t’i lejuar Kosovës udhëtimin pa viza, thotë Behgjet Pacolli.

Qytetarët e Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Shqipërisë, të gjithë mund të udhëtojnë për në Evropë pa viza. Vendi im, Kosova, mbetet demokracia e vetme evropiane qytetarëve të të cilës iu mohohet kjo e drejtë.

Ne ende ballafaqohemi me situata të turpshme, ku duhet të aplikojmë për viza (që është një proces i kushtueshëm dhe që merr kohë) thjeshtë për të shkuar në pushim ose për të vizituar të afërmit.

Përfitimet e liberalizimit të vizave janë të shumta – nxitja e partneriteteve ekonomike, promovimi i kontakteve ndërkulturore, përmirësimi i shkëmbimeve profesionale dhe arsimore, e madje do të ndihmonte edhe në luftimin e rolit të kontrabandistëve me njerëzve, shërbimet e të cilëve nuk do të nevojiteshin më. Parimet që gjenden prapa liberalizimit të vizave janë ato të cilat Bashkimi Evropian deklaron se i vlerëson më së shumti – hapja, drejtësia dhe uniteti.

Kemi duruar mjaft duke shikuar se si qytetarët e të gjitha shteteve fqinje të Kosovës kanë fituar të drejtën të udhëtojnë lirisht në zonën Shengen për një periudhë deri 90 ditore. Duke pasur parasysh që 84% e kosovarëve janë të mendimit se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë për vendin e tyre, BE nuk mund ta konsiderojë të huaj popullin tonë entuziast. Ka mjaft shumë kriza në Evropë dhe nuk është në të mirë të askujt krijimi i një krize të re.

Para pak kohe kam vizituar Berlinin dhe shumë kryeqytete tjera të BE-së për të lobuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe për të arsyetuar përfitimet që do të sillte një vendim i tillë. Ishte inkurajuese përkrahja e fuqishme që na dhe kolegu im Michael Roth, Ministri për Evropën i Gjermanisë.

Marrëdhëniet e Kosovës me BE-në për neve janë strategjike, njësoj si është rajoni i Ballkanit strategjik për BE-në. Kjo është një mundësi e mirë për BE-në që të dëshmojë udhëheqje globale duke adresuar çështjet që janë në ‘oborrin’ e saj. Kosova dhe Ballkani janë një test për kredibilitetin e BE-së dhe për pozitën e saj ndërkombëtare.

Prandaj, u bëj thirrje udhëheqësve evropian të validojnë rekomandimet pozitive të bëra nga Komisioni Evropian më 18 korrik të vitit që shkoi, dhe që janë kaluar nga Parlamenti i BE-së, ku konfirmohet se të gjitha kërkesat janë plotësuar. Krejt çka mbetet është që Këshilli Evropian të miratojë propozimin e Komisionit, për t’i dhënë fund trajtimit të padrejtë që na është bërë.

Ne dëgjojmë se disa shtete anëtare kanë shqetësime lidhur me migrimin e parregullt, dhe që votat kundër të Deputetëve të Parlamentit Evropian nga Franca, Holanda dhe Qipro janë reflektim i opinionit të qytetarëve të tyre përkatës.

Megjithatë, siç edhe demonstrojnë votat pozitive në Komision dhe në Parlament, Kosova ka zhvilluar të gjitha kornizat e nevojshme për ta trajtuar këtë çështje, dhe shumë çështje tjera. Nuk ka asnjë dyshim se në secilën fazë janë plotësuar kërkesat përkatëse. Ky proces, i cili filloi në vitin 2012, është marrë me shumë seriozitet nga të gjithë partnerët. Ne i kemi arritur 95 caqet që kanë të bëjnë me migrimin, menaxhimin e kufijve dhe sigurimin e të drejtat themelore. Para pak kohe, Komisioni njohu sukseset tona të mëdha në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tani duhet ta kalojmë edhe pengesën e fundit. Kam besim se zëri jonë do të dëgjohet, pasi që BE e di se liberalizimi i vizave nga Këshilli Evropian do të sillte përfitime për të gjithë. Në veçanti për të rinjtë e Kosovës, të cilët përbëjnë 60% të popullsisë. Për këta kosovarë, e ardhmja evropiane është e vetmja e ardhme që shohin dhe e vetmja e ardhme që dëshirojnë. Vonimi i mëtejmë i vendimit nuk do t’i shërbente interesave të BE-së, një gjë e tillë do të dëmtonte rëndë besueshmërinë e premtimeve të saj.

Ne e kuptojmë që me zgjedhjet e reja Evropiane dhe ndryshimet në udhëheqjen e Komisionit, si dhe me një numër të zgjedhjeve parlamentare në shtetet anëtare, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është në krye të agjendës. Megjithatë, kjo nuk është arsye e mjaftueshme – shtetet anëtare të BE-së duhet të marrin në konsideratë aspiratat e vendeve që janë jashtë BE-së, por me vështrim brenda saj, dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ruajtur optimizmin për atë që mund ta ofrojë BE-ja.

Shtetet Anëtare nuk duhet të lejojnë që frika nga një ndjenjë popullsitë të kontrollojnë vendimet e tyre sidomos pas progresit të arritur e të merituar nga evropianët. Për më tepër, migrimi i parregullt është një shqetësim për të gjithë neve – të cilin mund ta trajtojmë së bashku – dhe të mos ta ndërlidhim me qytetarët, që i binden Ligjit dhe të cilët dëshirojnë të zgjerojnë horizontet e tyre në mbarë kontinentin pjesë e të cilit ndihen se janë.

Shumë deputetë evropian kanë ngritur zërin në përkrahje të liberalizimit të vizave, dhe kanë inkurajuar Këshillin, që të ndërmarrë hapa aktiv për miratimin e finalizimit. Kjo mbështetje vlerësohet lartë, por për të arritur pragun e caktuar, duhet që vet politikanët kombëtar të bëjnë thirrje dhe të pranojnë se ne kemi punuar pa pushim që t’i përmbushim të gjitha kriteret e kërkuara.

Tani është koha e duhur për të bërë gjënë e drejtë dhe të duhur duke shpërblyer këto angazhime. Kur bëhet një premtimi ai duhet edhe të nderohet.

Artikulli i Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Jashtëm Pacolli është botuar në Euroactiv, më datën 12 shkurt, 2019.

(Behgjet Pacolli është Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.)