BE dhe Kosova mbajnë takimin e parë të Komitetit për Reforma dhe Rritje

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur takimin e parë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Në një komunikatë të përbashkët për media nga Komisioni Evropian dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se takimi u bashkëkryesua nga Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Kosovës me BE-në dhe Koordinator i Instrumentit për Reforma dhe Rritje…

Lajme

17/06/2026 20:53

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur takimin e parë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

Në një komunikatë të përbashkët për media nga Komisioni Evropian dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se takimi u bashkëkryesua nga Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Kosovës me BE-në dhe Koordinator i Instrumentit për Reforma dhe Rritje (IRR), dhe Jiri Plecity, Shef i Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian.

Sipas komunikatës, në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Komisionit Evropian, shoqërisë civile, sindikatave, bizneseve, autoriteteve lokale, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve zhvillimorë, ku është shqyrtuar progresi në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe projektet investuese të mbështetura nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje.

Në komunikatë theksohet se “diskutimet u përqendruan në progresin e arritur në fushat kryesore të reformës”, përfshirë administratën publike, menaxhimin e financave publike, sundimin e ligjit, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, zhvillimin e sektorit privat dhe arsimin.

Po ashtu, palët kanë diskutuar strukturat koordinuese për zbatimin e Instrumentit, projektet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), mekanizmat e auditimit dhe kontrollit, si dhe rolin e shoqërisë civile në monitorimin e reformave.

Në dokument theksohet se “të dyja palët nënvizuan rëndësinë e zbatimit të të gjitha 111 hapave reformues të paraparë në Agjendën e Reformave” dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas komunikatës, Kosova ka rikonfirmuar përkushtimin për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ndërsa Komisioni Evropian ka mirëpritur progresin e arritur deri më tani dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit në kohë të reformave.

“Komisioni Evropian nënvizoi rëndësinë e zbatimit në kohë të reformave, përfshirë ato që kërkojnë veprime nga një Kuvend plotësisht funksional dhe një Qeveri me mandat të plotë”, thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, palët janë dakorduar për institucionalizimin e rolit të shoqërisë civile në Komitetin Monitorues dhe vazhdimin e bashkëpunimit për zbatimin e reformave.

Sipas të dhënave të përfshira në komunikatë, Bashkimi Evropian ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova pritet të përfitojë 882.6 milionë euro, prej të cilave një e treta në grante dhe dy të tretat në kredi me kushte të favorshme./rtk