BDI: VLEN po vepron si zëdhënës të OBRM-PDUKM-së kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të VLEN-it, duke vlerësuar se ky koalicion po vepron si zëdhënës i OBRM-PDUKM-së kundër Shqipërisë dhe kundër interesit shqiptar. Nga BDI thonë se prej javësh kryeministri Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, për shkak se Tirana nuk hesht përballë cenimit të barazisë së…
Lajme
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të VLEN-it, duke vlerësuar se ky koalicion po vepron si zëdhënës i OBRM-PDUKM-së kundër Shqipërisë dhe kundër interesit shqiptar.
Nga BDI thonë se prej javësh kryeministri Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, për shkak se Tirana nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për shkak të avancimit të Shqipërisë në procesin evropian.
“ Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, VLEN u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me OBRM-PDUKM-në. Vlersojmë se është e paprecedentë që përfaqësues shqiptarë në qeveri të sulmojnë Shqipërinë me gjuhë më të ashpër se partnerët e tyre maqedonas”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, në vend që të kërkojnë respektimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe ruajtjen e kursit evropian të vendit, VLEN po harxhon energji duke zhvilluar betejat politike të OBRM-PDUKM-së.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për përfaqësues që përdoren si vegla kundër Tiranës sa herë e kërkon propaganda e qeverisë. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë interesin e tyre kombëtar dhe qytetar”, theksojnë nga BDI.
Në fund, nga partia opozitare porositën se kjo periudhë do të mbahet mend si koha kur disa u votuan në emër të shqiptarëve, por përfunduan duke vepruar kundër tyre.