BDI vendosi që të jetë pjesë e Qeverisë së re të Maqedonisë

Në mbledhjen e Kryesisë, Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi që të jetë pjesë e Qeverisë së re të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë edhe pse presidenti nuk e ka mandatuar kryetarin e saj Zoran Zaev.

Lajme

04/03/2017 09:10

Pas vendimit për dhënien dritë jeshile koalicionit me LSDM nga ana e BDI-së, ka folur për “24vesti”, kreu i BDI-se Ali Ahmeti.

“Njëzëri ka qenë vendimi, u shterën të gjitha debatet. Të gjithë kanë shptehur vullnetin e lirë që mbështesin mandatarin dhe nuk mendoj se do të ketë ndonjë tërheqje nga ata që kanë bërë premtime dhe atë premtim duhet ta mbajnë. BDI ka debatuar mbi situate dhe opsione reale të mundshme dhe janë shterur të gjitha debatet dhe sonte ka qenë vendimi përfundimtar, njëzëri”- tha ai.

Sipas agjencisë INA, vendimi i  BDI  u bë i ditur nga zëdhënësi i saj, Bujar Osmani, i cili tha se në këtë mënyrë respektohet vullneti i shqiptarëve.

Osmani i bëri thirrje Ivanovit që, në përputhje me detyrimet kushtetuese t’ia japë mandatin Zaevit, shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimin e 67 deputetëve  në Kuvendin e Maqedonisë.

“Njëkohësisht ftojmë z. Ivanov  si dhe partitë politike në Maqedoni të jenë të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë të ardhmen e përbashkët të qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh Osmani.

Më herët kreu i BDI Ali Ahmeti kishte paralajmëruar se nuk do të tërhiqeshin dhe se ajo që Ivanov e quan platformë, është thjeshtë një marrëveshje e mbështetur mbi programet e partive dhe se nuk ka vend për kompromis tashmë pasi në lojë është marrëveshja e Ohrit.