BDI dënon ashpër arrestimin e kosovarit në Maqedoninë e Veriut
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësimin e thellë dhe dënon ashpër arrestimin e një qytetari të Republikës së Kosovës, në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. “Ky është një tjetër rast i papranueshëm i zbatimit të fletarresteve të fabrikuara nga Serbia nga…

Lajme
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësimin e thellë dhe dënon ashpër arrestimin e një qytetari të Republikës së Kosovës, në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.
“Ky është një tjetër rast i papranueshëm i zbatimit të fletarresteve të fabrikuara nga Serbia nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, e cila vazhdon të veprojë pa asnjë filtër verifikimi, duke rrezikuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Edhe më shqetësuese është fshehja për më shumë se 10 orë e këtij ndalimi nga opinioni publik, një veprim që vetëm sa shton dyshimet për qëllimet e vërteta të këtyre masave”, thuhet në reagim të BDI-së.
Sipas, BDI-së, arrestime të tilla, të përsëritura dhe të padrejta, po ndodhin pikërisht në një periudhë kur Maqedonia e Veriut qeveriset nga një ekzekutiv i pafuqishëm dhe pa legjitimitet etnik. Përfaqësuesit shqiptarë në këtë qeveri kanë dëshmuar jo vetëm mungesë ndikimi, por edhe paaftësi për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Kjo situatë e rrezikshme nuk prek vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe qytetarët e Kosovës, të cilët përballen me pasiguri dhe padrejtësi sa herë që udhëtojnë në vendin tonë.
BDI ka qenë dhe mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj se fletarrestet e lëshuara nga Serbia përmes Interpolit nuk duhet të zbatohen verbërisht nga institucionet e Maqedonisë së Veriut. Gjatë qeverisjes me përfaqësim legjitim shqiptar, ne kemi parandaluar raste të tilla dhe kemi garantuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të z. Bajrami dhe i bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të rishikojë urgjentisht praktikën e ekzekutimit të fletarresteve të Serbisë. Nuk mund të lejojmë që shteti ynë të bëhet mjet i politikave të Beogradit, në dëm të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.