BDI akuzon për diskriminim: Asnjë shqiptar në avancimet në Doganën e Maqedonisë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj avancimit të fundit të 26 nëpunësve në Doganën e Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas partisë, janë të gjithë me përkatësi maqedonase dhe nuk përfshijnë asnjë shqiptar. Në një deklaratë publike, BDI thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por përbën një vazhdimësi të një…

Lajme
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj avancimit të fundit të 26 nëpunësve në Doganën e Maqedonisë së Veriut, të cilët sipas partisë, janë të gjithë me përkatësi maqedonase dhe nuk përfshijnë asnjë shqiptar.
Në një deklaratë publike, BDI thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por përbën një vazhdimësi të një politike sistematike të përjashtimit etnik në institucionet shtetërore, gjë që, sipas tyre, cenon bashkëjetesën dhe ekuilibrin ndëretnik në vend.
“Institucionet duhet të pasqyrojnë karakterin multietnik të shtetit dhe parimin kushtetues të përfaqësimit të barabartë. Në vend të kësaj, po shohim kthim në struktura njëetnike dhe mohimin e realitetit shtetëror,” thuhet në reagim.
BDI kërkon reagim urgjent nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe përgjegjësi nga të gjithë ata që, me heshtjen apo bashkëpunimin e tyre, po lejojnë rikthimin në “praktika diskriminuese”.
Në fund të reagimit, partia thekson se nuk do të lejojë që shqiptarët të përjashtohen nga shteti dhe paralajmëron përdorimin e çdo mjeti demokratik për të ndalur, siç e quan, “monopolin institucional” dhe për të rikthyer drejtësinë për të gjithë qytetarët, pa dallim.