Bayern e hap xhiron e javës sonte, Lewandowski synon barazimin e rekordit të Muller

Kampioni gjerman, Bayern Munich do të hapë xhiron e gjashtë të Bundesligas sonte, kur ata do të ndeshen me Greuther Fouerthin si mysafir nga ora 20:30.

Sport

24/09/2021 17:59

Bayerni është lider i tabelës pas pesë xhirove të para në Bundesliga, me pikë të barabarta me Wolfsburg, nga 13 të dyja.

Pas barazimit në xhiron e parë hapëse ndaj Monchengladbach, ‘bavarezët’ kanë arritur katër fitore radhazi dhe këtë ecuri synojnë ta vazhdojnë edhe sonte.

Bayern në fakt janë në një ecuri prej shtatë fitoreve radhazi në të gjitha garat, dhe kurioziteti është që ata kanë shënuar së paku tri gola në secilën këto ndeshje, duke përmendur fitoren e larta të asaj 12-0 si mysafir ndaj Bremer në kuadër të Kupës, e gjithashtu edhe fitoren tjetër të thellë prej 7-0 ndaj Bochum në kuadër të Bundesligës në xhiron e fundit.

Vëmendja është edhe tek sulmuesi Robert Lewandowski i cili mund të barazoj një rekord tjetër të legjendës Gerd Muller.

Lewandowski është në një ecuri prej 19 ndeshjeve radhazi në të gjitha garat duke realizuar së paku një gol – ecuri që ka filluar që nga shkurti i këtij viti, duke shënuar 30 gola gjatë këtij procesi.

Sa i përket Bundesligës, sulmuesi është në një ecuri prej 15 ndeshjeve radhazi duke shënuar së paku një gol, dhe është një ndeshje larg barazimit të rekordit të legjendës Gerd Muller i cili e mban me 16 ndeshje radhazi duke shënuar së paku një gol.

Mbetet të shihet nëse polaku do të thyej edhe një rekord të Muller, pasi paraprakisht theu rekordin e tij sezonin e kaluar për më së shumti gola të shënuara në një sezon të Bundesligas, me 41 të shënuara.

Ndryshe, Lewandowski pak ditë më parë fitoi ‘Këpucën e Artë Evvropiane’ pikërisht pasi realizoi 41 gola në ligë gjatë sezonit të kaluar, që ishte një numër më i lartë se çdo lojtar tjetër. /Lajmi.net