Bastisje në një kafiteri në Prizren, Policia sekuestron armë zjarri dhe municion

Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një lokal-kafiteri në Prizren, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me municion. Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 17 qershor 2026, rreth orës 20:40, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prizren, me asistimin e njësive…

Lajme

18/06/2026 10:26

Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një lokal-kafiteri në Prizren, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me municion.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 17 qershor 2026, rreth orës 20:40, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prizren, me asistimin e njësive të tjera policore nga Stacioni Policor në Prizren.

Kontrolli është kryer në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, pas dyshimeve se pronarët e lokalit, dy vëllezër, mund të jenë të përfshirë në shpërndarje të substancave narkotike dhe posedim të armëve.

Gjatë bastisjes në lokal ishte i pranishëm njëri nga të dyshuarit, D.P., 29 vjeç. Në kontrollin e zhvilluar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të markës “SIG” së bashku me nëntë fishekë.

Megjithatë, gjatë aksionit nuk janë gjetur substanca narkotike.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit lidhur me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me urdhër të prokurorit të rastit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe në garantimin e sigurisë publike. /Lajmi.net/