Bashkimi Evropian reagon për sanksionet e ShBA-së ndaj grupit të organizuar kriminal të Veselinoviqit

Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka reaguar pas sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë për rrjetet korruptive dhe të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor përfshirë edhe grupin kriminal që operon në veri të Kosovës në krye me Zvonko Veselinoviq.

Lajme

09/12/2021 11:20

Borrell shkroi se vendimi i Amerikës për futjen në listë të sanksioneve është një hap i rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Përcaktimi nga SHBA-ja është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Çmontimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në të gjithë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në ndjekjen e këtij objektivi të përbashkët”, ka shkruar Borell.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit Amerikan të Thesarit ka targetuar rrjetet e korrupsionit disa shtete të Evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media.

Përpos kësaj në njoftim theksohej se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinovqi kontroll të disa bizneseve në disa rajone.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Marko Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./Lajmi.net/