Bashkëpunim i ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, u prit sot në Tiranë nga Drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ilir Proda. Gjatë vizitës, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy policive, duke përfshirë organizimin e aksioneve të përbashkëta për parandalimin e trafiqeve dhe sigurinë publike. Vizita…

Lajme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, u prit sot në Tiranë nga Drejtori i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ilir Proda.
Gjatë vizitës, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy policive, duke përfshirë organizimin e aksioneve të përbashkëta për parandalimin e trafiqeve dhe sigurinë publike.
Vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet 2 policive, si dhe të shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira.
Gjatë takimit drejtuesit e policive simotra u dakordësuan për një bashkëpunim tërësor dhe pa barriera, i cili duhet të kulmojë gjatë sezonit veror 2025.
Gjithashtu, u dakordësua për shtim të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të përbashkëta policore, të cilat do të rezultojnë me parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të armëve, lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.
Më pas, delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi ambientet e Njësisë Speciale “RENEA” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë.
“Delegacioni u mirëprit dhe u nderua nga drejtuesit dhe punonjësit e 2 njësive speciale. Këto vizita u realizuan për të parë nga afër organizimin, përvojën, si dhe metodologjitë e përdorura nga këto struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit, konkretisht: gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, gjatë menaxhimit të situatave emergjente, si dhe gjatë operacioneve policore kundër terrorizmit dhe për rastet e pengmarrjeve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë.