Basha – Vuçiqit: Shpresoj që dita kur Serbia të njoh Kosovën të mos jetë e largët

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha priti pasditen e sotme kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe delegacionin që e shoqëronte. Basha i uroi mirëseardhjen në Tiranë kryeministrit Vuçiq, ndërsa vlerësoi se kjo vizitë është një hap përpara në intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Lajme

27/05/2015 22:11

Lideri i opozitës shprehu angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mundësive për një jetë më të mirë për qytetarët shqiptarë dhe serbë.

Shqipëria dhe shqiptarët, tha Basha, nuk kanë dallime politike kur bëhety fjalë për dëshirën për të pasur marrëdhënie sa më normale bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë, të cilat do të jenë një impuls zhvillimi për dy vendet.

Bashkëpunimi, tha ai, kërkon vullnet të dyanshëm ndërsa shprehu bindjen se është koha për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar të ardhmen.

“Është koha të shohim ç’mund të bëjmë në interes të qytetarëve tanë dhe të ardhmes tonë. Qytetarët tanë presin lidership të vërtetë evropian, tejkalim të problemeve të së kaluarës dhe punë të përbashkët për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie”, raporton Kosovapress.

Basha mirëpriti edhe angazhimin e kryeministrit Vuçiq për projektin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë-Merdare-Nish.

“Për ne Kosova e pavarur është një realitet që nuk drejtohet kundër serbëve dhe Serbisë, por një zgjidhje përfundimtare e krizës së shkaktuar në rajon pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, tha Basha.

“Unë shpresoj që dita kur lidershipi serb të njohë pavarësinë e Kosovës të mos jetë e largët, pasi ky është interesi më i mirë për të dy vendet dhe rruga e vetme për të garantuar paqe, siguri, mirëqënie dhe zhvillim për të gjithë rajonin”, theksoi Basha.

Duke u ndalur tek situata në Luginën e Preshevës, Basha i kërkoi kryeministrit Vuçiq një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë serbe. Basha ka kërkuar nga Vuçiq edhe zbatimin e marrëveshjes për tekstet shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës. (lajmi.net)