Basha: Qarkullimi i mjeteve të rënda të mbingarkuara po i dëmton rrugët tona, kemi shqiptuar dhe do të shqiptojmë gjoba ndaj tyre

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka thënë se një ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të rrugëve tona është qarkullimi i mjeteve të rënda të mbingarkuara, të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës. Ai ka thënë se çdo vit investohen qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve…

Lajme

13/07/2026 12:03

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka thënë se një ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të rrugëve tona është qarkullimi i mjeteve të rënda të mbingarkuara, të cilat tejkalojnë kufijtë e lejuar të peshës.

Ai ka thënë se çdo vit investohen qindra miliona euro nga paratë e taksapaguesve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe për këtë sipas tij, nuk mund të lejojmë që këto investime të dëmtohen për shkak të neglizhencës së një numri të vogël operatorësh dhe ngasësish të papërgjegjshëm.

“Gjatë sezonit veror, për shkak të temperaturave të larta, rreziku i dëmtimit të asfaltit rritet edhe më shumë. Për këtë arsye, kërkohet kujdes i shtuar dhe respektim i rreptë i kufizimeve nga të gjithë operatorët dhe ngasësit e mjeteve të rënda. Si Ministri e Infrastrukturës dhe Transportit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të jemi vazhdimisht në terren, duke zhvilluar kontrolle të rrepta për të parandaluar dëmtimin e infrastrukturës rrugore”, ka shkruar Basha.

Ai kaq thënë se vetëm më 1 korrik 2026 janë shqiptuar 24 kundërvajtje ndaj mjeteve që kanë tejkaluar peshën e lejuar, në vlerë të përgjithshme prej 13,910 eurosh, prej të cilave 13,140 euro ndaj operatorëve ekonomikë dhe 770 euro ndaj personave fizikë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit do të jetë rigoroze në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e infrastrukturës rrugore. Kontrollet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që, përmes mbingarkesës, rrezikojnë sigurinë në komunikacion dhe dëmtojnë rrugët tona. U bëjmë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që t’i respektojnë kufijtë e lejuar të peshës dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës që ndërtohet me paratë e qytetarëve”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/