Basha: Protesta e nesërme, paqësore
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka mbledhur të rinjtë e kësaj partie për t’iu dhënë mesazhin e protestës së nesërme që do të organizohet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Lajme
Basha tha se kjo do të jetë një protestë paqësore ndaj dhe kërkoi që të gjithë të mblidhen nesër në orën 11:00 për të kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta.
“Le ta nisim pra marshimin tonë nesër për të mos e ndalur deri sa të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë Kuvendit dhe jashtë politikës! Dhe le ti themi shqiptarëve: Shqipëria e vuajtur dhe e tronditur nuk meriton këtë drejtim. Le ti themi Shqipërisë sonë të dashur, na jep më të mirët e tu, të rinjtë dhe të rejat, demokratë dhe socialistë, ta pastrojmë Shqipërinë njëherë e mirë. Ta pastrojmë politikën njëherë e mirë. Nesër do të ushtrojmë të drejtën tonë për një protestë madhështore, paqësore. Paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit. Unë ju them sot, me autorizimin e shpirtrave tuaj të çiltër, me autorizimin e zemrave të pastra të rinisë shqiptare dhe të gjithë protestuesve shqiptarë nesër, se nuk do të ketë vend mes nesh për krimin dhe kriminelët. Krimin dhe kriminelët i keni në gjirin tuaj. Krimin dhe kriminelët i keni në qeverisje dhe ne do t’i largojmë me çdo çmim”, tha Basha.
Më tej Basha fajësoi Qeverinë për gjendjen e vështirë ekonomike, por më së shumti u ndal tek akuzat e deputetit Tom Doshi kundrejt Ilir Metës dhe Edi Ramës.
Ai e quajti dyshen Rama-Meta një qeveri të papërgjegjshme që, pasi e zhytën popullin në skamje e taksa pa fund, tani po nisin të lajnë hesapet me njëri-tjetrin. Ndërsa iu drejtua edhe një herë të rinjve të pranishëm, duke iu thënë atyre se Meta dhe Rama kanë frikë të përballen nesër me popullin.
” A e keni parë se si i ka zënë paniku? E keni parë si dridhen nga frika?! A e keni parë sa të stresuar janë? Pse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran. Ndaj jam sot plot shpresë, sepse e di që bashkë me ne, bashkë me rininë shqiptare, bashkë me qindra e mijëra shqiptarët, që do të dalin nesër në Sheshin Skëndërbej, në orën 11:00, është aspirata e një populli të tërë për ti thënë jo krimit në sistem, për ti thënë jo krimit në krye të qeverisjes, për ti thënë jo mafias në pushtet dhe bashkë me ne janë aspiratat e çdo shqiptari,” tha më tej Basha.
Gjithashtu kreu i opozitës Lulzim Basha tha se në këtë protestë nuk do jenë vetëm, pasi në krah kanë vullnetin, urimet dhe bekimet e aleatëve, demokracive evropiane dhe SHBA-ve.