Basha: LDK ka deputetë jo-legjitim që kanë vjedh vota e që s’e meritojnë postin – për qet arsye edhe nuk votojnë

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, pas dështimit të seancës së sotme, ka deklaruar se ekziston një problem te LDK-ja për mos votimin e verifikimit të mandateve. Basha tha se në legjislaturën e nëntë ka deputetë të zgjedhur jo legjitimë dhe se LDK-ja duhet të kërkojë nga Prokuroria ta kryejë punën e saj.…

Lajme

17/04/2025 15:29

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, pas dështimit të seancës së sotme, ka deklaruar se ekziston një problem te LDK-ja për mos votimin e verifikimit të mandateve.

Basha tha se në legjislaturën e nëntë ka deputetë të zgjedhur jo legjitimë dhe se LDK-ja duhet të kërkojë nga Prokuroria ta kryejë punën e saj.

“Unë mendoj se një problem është te LDK-ja, për mos votimin e verifikimit të mandateve. Mendoj se ata kanë të drejtë për një arsye të vetme, se janë të vetmit që kemi dhënë dëshmi kanë vjedhur vota gjatë fushatës, kanë deputetë jo legjitimë në këtë Kuvend të Republikës e kanë njerëz që janë votuar e qëndrojnë jashtë dhe rrjedhimisht mendoj që LDK-ja duhet të kërkojë kohë. Deputetët e LDK-së duhet të kërkojnë që prokuroria ta bëjë punën e vet, për t’i dënuar mbi një vit burg ata që janë sot këtu, e kanë vjedhur vota, pastaj me prurë një Kuvend më legjitim. Kështu që keni deputetë të LDK-së brenda që kanë vjedhur vota, nuk e meritojnë postin këtu, edhe rrjedhimisht LDK për atë nuk është duke votuar”, tha ai.

Konstituimi i legjislaturës së nëntë ka dështuar për herë të dytë brenda dy ditësh. Kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja ndërpreu seancën pasi sipas tij, nuk kishte konsensus me përfaqësuesit e partive politike se si të veprohet tutje. Seanca e re e radhës është thirrur për datën 19 prill, ora 12:00.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha sot se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve. Abdixhiku tha se nuk do ta votojnë as sot raportin derisa Qeveria Kurti të jep dorëheqje.

Ish-shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive, tha se nëse opozita nuk dëshiron të bisedojë rreth raportit për verifikim e mandateve të deputetëve, “atëherë mund të drejtohen për zgjedhje të reja.”

Deputetja e zgjedhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti po mundohet që në mënyrë të jashtëligjshme ta bëjë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, meqë “nuk i ka votat për formimin e qeverisë”.