Basha inspekton punimet në rrugën Kijevë-Zahaq, paralajmërohet lehtësim i qarkullimit pas shtatë ditësh

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq, duke u njohur me ecurinë e projektit dhe sfidat gjatë realizimit të tij. Sipas njoftimit të ministrisë, punimet e mëdha në këtë rrugë kanë shkaktuar pengesa dhe vonesa të përkohshme për ngasësit, banorët dhe…

Lajme

15/07/2026 15:47

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në segmentin rrugor Kijevë–Zahaq, duke u njohur me ecurinë e projektit dhe sfidat gjatë realizimit të tij.

Sipas njoftimit të ministrisë, punimet e mëdha në këtë rrugë kanë shkaktuar pengesa dhe vonesa të përkohshme për ngasësit, banorët dhe bizneset e zonës.

Një nga pikat që aktualisht po ndikon në qarkullim është bajpasi te Ura e Dollcit, i cili është krijuar si pasojë e punimeve dhe minimit të një pjese të rrugës.

Gjatë vizitës në terren, ministri Basha ka diskutuar me inxhinierët e operatorit ekonomik për situatën aktuale, ndërsa sipas tyre, kjo nyje pritet të pastrohet brenda shtatë ditësh, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit në rrugën ekzistuese.

“Gjatë vizitës, ministri Basha u takua me inxhinierët në të gjitha segmentet e projektit, ku u diskutuan dhe u adresuan shumë nga sfidat që zakonisht paraqiten gjatë realizimit të projekteve të kësaj natyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

Sipas vlerësimeve në terren, segmenti Kijevë–Zahaq pritet të ketë rritje të intensitetit dhe dinamikë më të madhe të punimeve në periudhën në vazhdim.

Ministria ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për pengesat e përkohshme në trafik, duke bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin në terren dhe bashkëpunimin me të gjithë akterët për përfundimin sa më të shpejtë të kësaj rruge. /Lajmi.net/