Barcelona: Njëherë Rakitic, pastaj Koke

Pas mesfushorit të Sevillas, Ivan Rakitic, Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës do të transferojë edhe yllin e ri të Atletico Madridit, Koke.

Sport

06/06/2014 09:24

Barcelona ka arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit të Sevillas, Ivan Rakitic.

Ylli kroat thuhet se ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare në Camp Nou në transferim me vlerë prej rreth 20 milionë euro.

Mirëpo, sipas Sport.es, Rakitic nuk do të jetë i vetmi mesfushor që do t’i bashkohet skuadrës së re të Luis Enriques gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Rrugën e tij do ta përcjellë edhe ylli i ri i Atletico Madridit, Koke. Reprezentuesi spanjoll ka shkëlqyer në stinorin e fundit për Atletico Madridin duke qenë një prej futbollistëve kryesorë në rrugëtimin e suksesshëm drejt titullit të kampionit në La Ligë, dhe finales në Ligën e Kampionëve, ku u mposhtën nga rivali i qytetit, Real Madrid.

Koke kërkohet edhe nga Manchester United, mirëpo Barcelona konsiderohet favorite për të siguruar shërbimet e tij.