​Baraliu për situatën e krijuar në Kuvend: E pahijshme dhe e dëmshme

Akt të pandershëm e të dëmshëm për interesat e Kosovës e ka konsideruar ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, profesori universitar, Mazllum Baraliu. Për Baraliun përkundër që kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministrat kanë dhënë dorëheqje ata duhet të vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin e tyre, por jo me kompetenca të plota.…

Lajme

15/04/2025 17:34

Akt të pandershëm e të dëmshëm për interesat e Kosovës e ka konsideruar ndërprerjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, profesori universitar, Mazllum Baraliu.

Për Baraliun përkundër që kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me ministrat kanë dhënë dorëheqje ata duhet të vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin e tyre, por jo me kompetenca të plota.

Njohësi i çështjeve kushtetuese thotë se veprimet e pozitës dhe të opozitës nuk i bëjnë nder funksionimit dhe ndërtimit të institucioneve të vendit.

“Një pakuptimësi, paqartësi dhe konfuzitet që pozitë dhe opozitë i krijojnë para këtyre akteve më solemne në konstituimit në këtë rast të legjislaturës së nëntë….Një akt i pashembullt do të thosha i dëmshëm për interesat në të cilat gjendet Kosova tani….03’56Pa dallim pozitë dhe opozitë kjo është e pahijshme, e pandershme dhe nuk është në funksion të ndërtimit të shtetit dhe institucioneve të vendit”, thotë ai.

Baraliu konsideron se veprimet si këto të sotme e prolongojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe më pas formimit të institucioneve të tjera.

“Pa dashur që të përqendrohen pozitë e opozitë për mua janë përafërsisht njëjtë. Vetëm metodat dhe momentet ata i zgjedhin të ndryshme, metodologjia e sjelljes betejat politike më thjesht ata i bënë pothuajse në mënyrë të njëjtë vetëm shfrytëzojnë momentet për të dëshmuar vetën për të treguar mbase edhe për të penguar mbase njëri-tjetrin. Nuk dua të dalloj pozitë e opozitë, por të dy bashkë si të dëmshëm veprime të dëmshme sepse thjesht po prolongohet procesi i konstiutimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të tjera”, deklaroi ai.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu shprehet se Kurti duhet ta vazhdoj ta ushtroj detyrën në aspektin teknik e administrativ, por jo me kompetenca të plota.

“Dorëheqja nuk nënkupton që të mos ketë shkuarje në zyrë siç po kërkojnë këta të opozitës….si është e mundur atëherë kush e udhëheqë këtë vend. Edhe në pozitë të një vakumi institucional ata që kanë qenë në pushtet ushtrojnë pushtetin, por natyrisht pa kompetenca të plota, ushtrim teknik administrativ që kryejnë detyra të përditshme dhe kjo është kurdoherë.. Ditën kur dorëzohet mandati i kryeministrit dhe i kabinetit të tij cilido qoftë ai të supozojmë i opozitës tek atëherë përfundojnë kryerja e detyrës, e mandati ka përfunduar më 23 mars”, theksoi ai.

Pak para ndërprerjes së seancës konstituive, udhëheqësi i kësaj seance, Avni Dehari tha se do t’i drejtohet me letër presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

E një veprim i tillë për Baraliun është i panevojshëm.

“Kjo që i janë drejtuar presidentes së Kuvendit është mbase e panevojshme, ajo e ka kryer punën e saj kushtetuese. Me Kushtetutë ka qenë e obliguar që pas një muaj pas zgjedhjeve certifikimit më saktë ta caktojnë këtë mbledhje e ka caktuar dhe nuk ka çka këtu këta që për interesat e tyre kalkulime politike”, shprehet profesori universitar.

Seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për shkak të mos votimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Deputetët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, votuan kundër këtij raporti, ndërkaq Lista Serbe abstenoi.

Opozita vuri në dyshim dorëheqjen e Kurtit nga posti i kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.