Banorët e kundërshtojnë, Komuna nuk tërhiqet nga ndërtimi i parkingut në oborrin e “Hasan Prishtinës”
Projekti i komunës së Obiliqit për ndërtimin e një parkingu në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina”, për stafin e saj në Milloshevë po kundërshtohet nga banorët.
Lajme
Ata po thonë se me këtë projekt Komuna e Obiliqit është duke e dëmtuar parkun ku kanë qëndruar nxënësit dhe prindërit e fëmijëve, kur i bartin në shkollë.
“Ne nuk e përkrahim ndërtimin e këtij parkingu, pasi po dëmtohet parku. Ne qëndrojmë aty kur i marrim fëmijët nga shkolla edhe prandaj nuk kemi dëshirë që ky parking të ndërtohet në atë vend”, ka thënë një banor për lajmi.net.
Mirëpo, në Komunën e Obiliqit po thonë se të gjitha procedurat ligjore publike për realizimin e këtij projekti janë zbatuar dhe realizuar duke përfshirë edhe debatin publik.
Ata kanë akuzuar njërën prej partive politike se në këtë mënyrë dëshiron ta promovojnë vetën.
Agim Spahiu, Drejtor i Arsimit, në komunën e Obiliqit, në një përgjigje me shkrim për lajmi.net ka thënë se pjesa e infrastrukturës që është ndërtuar në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” në Milloshevë, ka qenë paketë e projektit të sallës sportive e cila është në përfundim.
“Pjesa e infrastrukturës që është ndërtuar në oborrin e shkollës “Hasan Prishtina” në Milloshevë, ka qenë paket e projektit të sallës sportive e cila është në përfundim. Gjitha procedurat ligjore publike për realizimin e këtij projekti janë zbatuar dhe realizuar duke përfshirë edhe debatin publik të organizuar për projektin në fjalë vitin e kaluar. Një subjekt politik me këtë mënyrë dëshiron të promovojë vetën”, ka thënë Spahiu.
Ky parking është pjesë e projektit të sallës sportive, gurëthemeli i së cilës u vë në maj të këtij viti me vlerë 244 mijë euro. /Lajmi.net/