Banorët e komunitetit rom në Fushë Kosovë pa rrugë të asfaltuar, kërkesa mbetet në sirtarë të komunës

Tash e gati dhjetë vjet, banorët e një lagjeje të komunitetit rom, po përballen me vështirësi me Komunën e Fushë Kosovës, pasi që të njëjtin nuk po e realizojnë kërkesën e tyre për asfaltimin e rrugës së lagjes.   Sipas këtyre banorëve, problemi më i madh i tyre është balta që po krijohet nga reshjet…

Lajme

21/04/2025 12:05

Tash e gati dhjetë vjet, banorët e një lagjeje të komunitetit rom, po përballen me vështirësi me Komunën e Fushë Kosovës, pasi që të njëjtin nuk po e realizojnë kërkesën e tyre për asfaltimin e rrugës së lagjes.

 

Sipas këtyre banorëve, problemi më i madh i tyre është balta që po krijohet nga reshjet e shiut dhe siç thonë ata nuk po munden t’i dërgojnë fëmijët e tyre në qendrën edukuese të lagjes në Fushë Kosovë.

Ani pse banorët kanë dërguar ankesa dhe kërkesa për të asfaltuar këtë rrugë, komuna gjithmonë kundërpërgjigjet se nuk ka buxhet për të përfunduar këtë projekt dhe se kur të votohet buxheti i komunës do të merret ndonjë masë.

Banorët e lagjes nuk dëshiruan të prononcohen me fytyrë para kamerës, por ankesat e tyre ishin të shumta.

Një grua në këtë lagje, e cila dëshiroi të mbetet anonim, ka thënë se nuk po mundet t’i dërgojë fëmijët në qendër, pasi që kur kthehen në shtëpi janë të pa larë nga balta e rrugës.

Boll është vështirë, po duhet me shkua fëmija në qendër e nuk po munden. Kur po i dërgojmë fëmijën në qendër, kur po kthehen lloç, as nuk po mundesh me i dërgua as mos me i dërgua, këta të qendrës po na thonë pse nuk po i bini, ne po i dërgojmë të larë, e të pa larë po kthehen fëmija. Por fëmija kanë nevojë për qendër se duhet me shkua edhe në shkolla. Djalin e mbathi me patika të bardha kur vjen këtu si me të zeza”, ka thënë ajo.

Një banore tjetër e lagjes, ka shtuar se kur ka reshje të mëdha shiu duhet të dalin me çizme të mëdha.

“Që tetë vite heqim këtu edhe para një jave çka ka qenë këtu, me çizme të mëdha është dashur me i mbathë për me dalë me marrë diçka.. Boll e kemi vështirë, për çdo gjë jo vetëm për shkolla. Ne boll jemi ankuar por kurrë nuk kanë ardhur me na pyet”,ka shtuar ajo.

Ndërsa përfaqësuesi i kësaj lagje, Murat Dibrani ka potencuar se gjithmonë komuna arsyetohet se nuk ka buxhet për të përfunduar këtë projekt.

“Krejt ato biseda çka janë bë, është mbyllur ky proces me fjalën që është ndarë buxheti për këtë vit. Çdo herë kanë thënë që nuk ka më buxhet për asfaltimin e rrugës”, ka potencuar Dibrani.

Drejtori i Qendrës TIP, Arbon Osmani, qendër në këtë lagje për edukim të fëmijëve e grave është ankuar se fëmijët e lagjes nuk po mund të edukohen shkak i këtij problemi.

“Rrugën po e shihni dhe vet, ne si qendër jemi që tre vite. Janë diku rreth 30 shtëpi, rreth 80 banorë, 100 fëmijë brenda jave vinë në qendër të kopshtit tre vjet deri në klasë të gjashtë, gra burra që frekuentojnë qendrën, diku rreth 800 fëmijë e kanë frekuentua brenda vitit 2024”, ka thënë Osmani.

KP ka dërguar email komunës së Fushë Kosovës, por të njëjtin deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.