​Banka Botërore me një raport për rajonin: Tregon ku duhet të investohet të paktën 37 miliard dollarë

Grupit të Bankës Botërore ka publikuar sot një raport ku theksohet se së bashku, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliard dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike. Në raportin rajonal…

Lajme

17/07/2024 12:54

Grupit të Bankës Botërore ka publikuar sot një raport ku theksohet se së bashku, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliard dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike.

Në raportin rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot thotë se përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike. Për këtë rajon, që aktualisht është i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, mosveprimi nuk është alternativë e mundshme. Për shembull, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milion njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh. Në vitin 2021 janë regjistruar 1.500 syresh, me rritje prej 21% krahasuar me dhjetëvjeçarin e fundit. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit”, thuhet në një komunikatë të Bankës Botërore.

“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, tha Xiaoqing Yu, drejtor vendi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme. Por, lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha. Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, investimet për përshtatjen me ndryshimet klimatike, veçanërisht në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sjellin përfitime të konsiderueshme, ku çdo 1$ i investuar përkthehet në rreth 4 dollarë përfitime.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të pakësojnë shkarkimet e tyre të gazrave serrë, me qëllim që të vijojnë të konkurrojnë, të përforcojnë sigurinë e energjisë dhe të tërheqin investime ndërkombëtare. Megjithatë, arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050 në përmbushje të objektivave evropianë, do të kërkonte investime shtesë me vlerë prej 32 miliard Dollarë. Shkarkimet e gazrave serrë në nivelin zero neto në mbarë ekonominë deri në vitin 2050 janë të arritshme nëse energjia diellore, e erës dhe ajo hidrike arrijnë të prodhojnë 95% të të gjithë energjisë, çka do të përbënte rritje të konsiderueshme krahasuar me nivelin aktual të një të tretës të të gjithë prodhimit energjetik. Për më tepër, shkarbonizimi i sektorit të ndërtimit përmes investimeve për eficiencën e energjisë është element thelbësor. Edhe sektori i transportit duhet të transformohet thellësisht përmes uljes së kërkesës për mjete dhe kalimit drejt mënyrave më të qëndrueshme të transportit dhe tranzicionit drejt mjeteve elektrike”, thuhet në raport.

Raporti thekson se një pjesë e konsiderueshme e financimit mund të vijë nga sektori privat. Megjithatë, me qëllim vënien në lëvizje të investimeve private, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të garantojnë kuadro ligjore të qëndrueshme dhe tregje financiare tërheqëse për të nxitur shoqëritë të angazhohen në mundësitë që krijohen nga tranzicioni.

“Përshtatja me ndryshimet klimatike është element kyç për vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim rritjen e potencialit dhe nxitjen e rritjes së fuqishme dhe të qëndrueshme”, tha Nicolas Marquier, Menaxher Rajonal i IFC- për Ballkanin Perëndimor. “Në këtë kuadër, pjesëmarrja e sektorit privat është thelbësore. Raporti paraqet një shteg të qartë me afatet përkatëse për arritjen e këtij ndryshimi drejt zeros neto dhe për të garantuar mbrojtjen dhe përfitimet e komuniteteve vendore nga ky tranzicion i gjelbër”.

CCDR-ja për Ballkanin Perëndimor rekomandon një sërë politikash me qëllim udhëzimin e tranzicionit të rajonit drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Këto rekomandime janë të organizuara në tre kategoritë e mëposhtme të politikave:

• Të ndërthurura: Është e nevojshme që përpjekjet për përshtatje dhe zbutje të integrohen në të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin e veprimeve të efektshme për ndryshimet klimatike. Për shembull, duhet të ngrihen agjenci ose komisione të specializuar dhe të përqendruara tek klima, dhe angazhimet kombëtare për ndryshimet klimatike duhet të shërbejnë si kapacitet këshillimor për të gjitha çështjet që lidhen me klimën:

• Ndërkufitare: Bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor për trajtimin e risqeve klimatike që shkojnë përtej kufijve gjeografikë. Forcimi i institucioneve rajonale është veprim kyç për mundësimin e bashkërendimit në fusha si sistemet e paralajmërimit të hershëm, menaxhimin e burimeve të përbashkëta, ose sistemet e harmonizuara të energjisë.

• Të synuara: Trajtimi i nevojave të veçanta të komuniteteve të cenueshme është element thelbësor për zgjidhjet e efektshme dhe zbatimin e politikave. Politikat e synuara përfshijnë reformat në arsim dhe formim me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore, si dhe përpjekjet për zbatimin e praktikave inteligjente në lidhje me klimën.

Grupi i Bankës Botërore po ndihmon vendet të frenojnë shkarkimet e karbonit dhe të rrisin aftësitë ripërtëritëse ndaj motit ekstrem. Grupi po përcakton një pikësynim ambicioz për t’i kushtuar 45% të financimeve të veta veprimeve klimatike brenda vitit 2025, të cilat do të ndahen në mënyrë të barabartë ndërmjet zbutjes dhe përshtatjes. Gjatë viteve fiskale 2023 dhe 2024, Banka Botërore angazhoi rreth 1,2 miliard dollarë për financime që lidhen me klimën në Ballkanin Perëndimor.

Informacion për Raportet e Klimës dhe Zhvillimit në Vend

Raportet e Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin në Vend janë raporte të reja diagnostikuese themelore që integrojnë konsideratat e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit. Ato i ndihmojnë vendet t’i japin përparësi veprimeve me më shumë ndikim që mund të pakësojnë shkarkimet e gazrave serrë (GS) dhe të përshpejtojnë përshtatjen, ndërkohë që ndihmojnë në realizimin e synimeve më të gjera të zhvillimit. CCDR-të bazohen në të dhëna dhe kërkime rigoroze dhe identifikojnë rrugët kryesore të uljes së shkarkimeve të GS-ve dhe pakësimit të cenueshmërive klimatike, përfshirë këtu kostot dhe sfidat, si dhe përfitimet dhe mundësitë që rrjedhin nga këto veprimtari. Raportet sugjerojnë veprime konkrete dhe me përparësi në mbështetje të tranzicionit me aftësi ripërtëritëse drejt nivelet më të ulëta të karbonit. Si dokumente publike, CCDR-të synojnë të informojnë qeveritë, qytetarët, sektorin privat dhe partnerët për zhvillim, si dhe të mundësojnë angazhimin dhe agjendën për zhvillimin dhe klimën. CCDR-të do të kontribuojnë informacion për instrumente të tjera themelore diagnostikimit të Grupit të Bankës, angazhimet në vendet përkatëse dhe operacionet, si dhe do të ndihmojnë në thithjen e fondeve dhe financimit të drejtpërdrejtë për veprime