Banesat e gjelbra në Dardani pa ashensor dhe ndriçim

Ndërtesat e banimit kolektiv, banesat e gjelbra në Dardani ofrojnë kushte minimale për banim. Aty në shumicën e rasteve nuk punojnë fare ashensorët, e për më tepër mungon edhe ndriçimi i korridoreve dhe shkallëve. 

Lajme

14/09/2014 18:36

Por, nuk është vetëm kjo njëra prej shqetësimeve për këta banorë, ata ankohen edhe për dritaret e thyera të vendosura në pushimore të shkallëve të cilat janë të rrezikshme si për të mëdhenjtë e po ashtu edhe për fëmijët. 

Mirëpo, edhe pse këta banorë kanë ankesa ndaj Komunës, kjo e fundit thotë se te këto ndërtesa së pari duhet të formohet këshilli banesor në mënyrë që të mund ti zgjidhen problemet. 

Sipas, Ardian Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike, te ndërtesat kolektive ekziston ligji mbi menaxhimin bashkë pronësi dhe komuna nuk mund të ndërhyjë.

“Te ndërtesat kolektive është ligji mbi menaxhimin bashkë pronësi i cili u jep obligim të gjithë banorëve të banesave kolektive që të formojnë këshillat banesor dhe të zgjedhin administratorin i cili administrator mund të jetë juridik apo edhe fizik ku ai administrator të merret me rregullimin e gjitha si me thënë pronave të përbashkëta publike sa i përket ndërtesave kolektive”.

“Në këtë mënyrë komuna nuk mundet me ndërhy sepse është me ligj shkruan ashtu, por mundet me i selektu sa i përket nëse kanë nevojë për shembull me jau gjet administratorin apo edhe si me thënë me ndërhy të Bashkësitë Lokale me jau mundësu që mu kriju këshillat banesore. Kjo sa i përket pjesës së banesave kolektive. Për momentin komuna ka bërë disa investime nëpër lifta. Për vitin tjetër është buxhetu dikund 50 mijë euro është buxheti që do t’i ndihmojë banorët për me realizu ligjin për menaxhim në bashkëpronësi por më shumë nuk mundet sepse ligji nuk e lejon”. 

E Rrahman Istogu, banor në lagjen Dardania te kurrizi, tha se hyrjet janë shumë të errëta dhe ka shumë xhama të thyera, madje siç u shpreh ai, shumë shpesh ndodh që hyjnë hajnat dhe askush nuk mund të bëjë asgjë që t’i mbrojë ata njerëz që bien pre e sulmuesve.

“Bash ku jemi qetu n’ Dardani banoj unë në katin e tetë kur lshona poshtë te podrumi aty është nime është terr shumë është frikë me kalu asajde se mundet, ka bo vaki hajnat ja u kanë kap femrës në qaf ja kanë kput zinxhirin, është pak rrezik është mirë me u nejt këtyre punëve gati nashta po kam ymyt qetash kadal dal po rregullohen këto sene …….është rrezik qysh jo së fëmija mundet me e shti kryet aty, mundet edhe me ra ai thmi është, mundet me u pre në xham krejt këto janë rreziqe, kështu që duhet me pas një kujdes më të madh qashtu mendoj unë …….me marrë një farë operacioni me i qit njerëzit me i kqyr, me i rregullue me dhënë at fondin, qeveria me dhënë fondin”.

Po ashtu, edhe një banore në këtë lagje e cila nuk pranoi të fliste para kamerës, tha se në hyrjen ku banon ajo ka pak më shumë dritë se sa në hyrjet e tjera, por se pengesë për të janë lokalet afër dritareve dhe hyrjeve të banesave.

Ndryshe, pritet që vitin e ardhshëm banorët e ndërtesave kolektive të zgjedhin administratorin i cili duhet të merret me pronat e përbashkëta publike.