“Banesat 10-katëshe po bëhen 11, ato 11 po bëhen 12” – përplasje mes Fitore Pacollit dhe Bekim Brestovcit për ndërtimet në Prishtinë

Një përplasje virtuale ka shpërthyer ndërmjet deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, lidhur me ndërtimet pa leje në kryeqytet. Deputetja Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qeverisjen komunale, duke deklaruar se “ndërtesat po rriten si drunjtë në pranverë”, transmeton Telegrafi. “12 milionë…

Lajme

12/06/2025 08:50

Një përplasje virtuale ka shpërthyer ndërmjet deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, dhe drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, lidhur me ndërtimet pa leje në kryeqytet.

Deputetja Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar qeverisjen komunale, duke deklaruar se “ndërtesat po rriten si drunjtë në pranverë”, transmeton Telegrafi.

“12 milionë euro për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit? Me sa duket, për të projektuar paligjshmërinë me dorë të lirë. Kur LDK udhëheq në Prishtinë, banesat 10-katëshe bëhen 11, ato 11 bëhen 12… Është traditë e LDK-së që trashëgohet e ruhet ndër breza”, ka theksuar deputetja.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i drejtorit të Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, i cili tha se mbindërtimi që Pacolli ka postuar është ndërtuar pikërisht në kohën kur pushteti lokal po drejtohej nga Shpend Ahmeti.

“Duke u munduar ta fajësoj qeverisjen aktuale të Kryeqytetit, Fitore Pacolli e paska postuar një mbindërtim që rezulton të jetë i ndërtuar në vitin 2014, pikërisht atëherë kur në Prishtinë, pushteti lokal po drejtohej nga Shpend Ahmeti, i cili në një mandat shefe kabineti e kishte pikërisht Fitore Pacollin. Keq ja ke huq kësaj radhe, deputete Pacolli”, ka deklaruar Brestovci.

Ndryshe, Prishtina që nga viti 2021 është duke u udhëhequr nga LDK, ndërsa kritika për qeverisjen lokale ka pasur shpesh herë nga subjektet tjera politike.