Balotazhi në Mitrovicë, kaq qytetarë dolën për të votuar në Shipol

Menaxherja e qendrës së votimit në shkollën fillore “Fazli Grejqevci” në Shipol të Mitrovicës së Jugut, Nurie Hajdari, ka deklaruar se procesi zgjedhor ka rrjedhur normalisht që nga hapja e vendvotimeve dhe deri në orët e pasdites. Sipas të dhënave të saj, nga gjithsej 6,154 votues të regjistruar, deri në orën 17:20 kanë dalë për…

Lajme

09/11/2025 18:11

Menaxherja e qendrës së votimit në shkollën fillore “Fazli Grejqevci” në Shipol të Mitrovicës së Jugut, Nurie Hajdari, ka deklaruar se procesi zgjedhor ka rrjedhur normalisht që nga hapja e vendvotimeve dhe deri në orët e pasdites.

Sipas të dhënave të saj, nga gjithsej 6,154 votues të regjistruar, deri në orën 17:20 kanë dalë për të votuar 2,285 qytetarë, çka përbën një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e 12 tetorit.

“Nga gjithsej 6,154 votues të regjistruar, kanë dalë për të votuar vetëm 2,285 qytetarë. Ky numër nuk është shumë i madh në krahasim me zgjedhjet e 12 tetorit”, theksoi Hajdari.

Në këtë qendër janë të hapura shtatë vendvotime, të gjitha të mbuluara me komisionerë dhe vëzhgues, ndërsa nuk është raportuar asnjë incident apo parregullsi gjatë ditës.

Megjithatë, Hajdari ka theksuar se ka pasur pakënaqësi nga disa qytetarë, të cilët nuk kanë mundur të ndihmojnë persona të moshuar, me nevoja të veçanta apo analfabetë gjatë procesit të votimit — rregull që, sipas saj, është vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Zgjedhjet për raundin e dytë mbahen në 18 komuna.