Balotazh në 18 komuna- kush me kë do përballen sërish më 9 nëntor në raundin e dytë të zgjedhjeve?
Tanimë ka përfunduar procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga diaspora në kuadër të zgjedhjeve të 12 tetorit, apo thënë qartë zgjedhjeve lokale. Këto fletëvotime ishin dërguar nga 22 shtete të ndryshme ku jetojnë kosovarë të shumtë. Gjatë ditës së sotme pritet që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), të vazhdojë…

Lajme
Tanimë ka përfunduar procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga diaspora në kuadër të zgjedhjeve të 12 tetorit, apo thënë qartë zgjedhjeve lokale.
Këto fletëvotime ishin dërguar nga 22 shtete të ndryshme ku jetojnë kosovarë të shumtë.
Gjatë ditës së sotme pritet që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), të vazhdojë numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Lidhur me këtë proces detaje për lajmi.net, ka dhënë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës është përmbyllur të hënën rreth mesnatës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, tha Elezi.
E në bazë të rezultateve të deritanishme, 18 komuna do të shkojnë në balotazh, proces ky i cili do të zhvillohet më 9 nëntor 2025, shkruan lajmi.net.
Të pakta janë komunat të cilat u arrit që fitorja të merret që në raundin e parë të zgjedhjeve, e shumë prej këtyre komunave i takojnë Listës Serbe.
Në komunat si Suharekë, Junik dhe Klinë në balotazh do të përballen partitë: AAK dhe LDK, kurse në Gjakovë dhe Rahovec gara do zhvillohet në mes AAK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Përpos kësaj, në Dragash në balotazh do të jenë LDK dhe PDK.
Në gjashtë komuna të tjera si: Fushë-Kosovë, Pejë, Obiliq, Gjilan, Prishtinë dhe në Viti gara e balotazhit do të jetë në mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
E gara ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes do të zhvillohet në katër komuna që janë: Vushtrria, Prizreni, Mitrovica dhe Kaçaniku.
Në balotazh subjektet politike do të garojnë kësisoj:
Vetëvendosje në 12 komuna
Lidhja Demokratike e Kosovës në 9 komuna
Partia Demokratike e Kosovës në 9 komuna
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna
Partia e Turqve të Kosovës (KTDP) në një komunë,
Iniciativa e Qytetarëve MHH në një komunë,
Lista Serbe (LS) në një komunë
Partia Serbe SNS në një komunë.
Në 20 komuna gjithsej gara u mbyll që në raundin e parë- apo më 12 tetor. Kësisoj disa nga këto komuna do të kenë drejtuesi e njëjtë edhe për 4 vitet e ardhshme.
Ndryshe sot në mëngjes në QNR ka filluar rinumërimi i 5 vendvotimeve, në bazë të vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Këto vendvotime ndodhen në komunat Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06), Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01), dhe Podujevë (1807/02).
Sipas KQZ-së, procesi do të nisë me komunat Deçan, Istog, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Shtërpcë, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug dhe Mitrovicë e Veriut, në të cilat tashmë është përmbyllur skanimi i listës së votuesve.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme pritet të nisë edhe numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është zhvilluar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa për personat me nevoja të veçanta është mundësuar votimi jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile./Lajmi.net/