Ballkani një treg i unifikuar me 26 milionë konsumatorë

Është mbajtur sot në Tiranë konferenca për monitorimin e Strategjisë të Evropës Juglindore 2020, me përfaqësues nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës, të cilët kanë folur mbi progresin e arritur dhe masat për realizimin e objektivave të kësaj strategjie.

Lajme

09/02/2015 14:03

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal ministri shqiptar i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Arben Ahmetaj tha se Ballkani duhet të ketë një treg të unifikuar në të ardhmen. 

E nëse kjo nuk arrihet në vitin 2020, të paktën deri në vitin 2030, kjo duhet të jetë realizuar, që te kemi një treg pa pengesa dhe burokraci, larg konflikteve të vjetra politike. 

“Me vendet e rajonit jemi në një diskutim intensiv për të pasur një qasje të unifikuar të përbashkët, dhe unë jam i bindur që përmirësimi i klimës rajonale, politike, rritja e transaksioneve ekonomike, na ka sjellë një domosdoshmëri të re e cila kondicionon lënien mbrapa të të gjithë konflikteve që ka pasur rajoni dhe ka si domosdoshmëri një përqasje të përbashkët. Kjo në mënyrë që të kemi mundësi që në vitin 2020 apo në vitin 2030, Rajoni të ketë rritur konektivitetin dhe të ketë mundësi që tregjet, ( që ky treg i fragmentuar është shumë i vogël), por i përbashkët është 26 milionë konsumatorë, të jetë një treg i unifikuar”, tha më tej ministri Arben Ahmetaj. 

Ndërsa me qeverinë e Kosovës, Shqipëria do të ndërmarrë një aksion të përbashkët (me ndihmën edhe të Universitetit të Harvardit) për një treg të hapur mes sipërmarrjes kosovare dhe asaj shqiptare. 

“Me qeverinë e Kosovës kemi ndërmarrë një aksion, me ndihmën e Universitetit të Harvardit për zerimin e të gjitha pengesave jotarifore, duke respektuar në mënyrë rigoroze rregullat e CEFTA-s dhe të OBT-së, kuptohet dhe të MSA-së, për të pasur një treg të hapur për sipërmarrjen kosovare dhe sipërmarrjen shqiptare”, tha ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj. 

Lidhur me situatën në Shqipëri, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se 2014-ta ishte një vit i vështirë, por që shënoi kthesën në ekonominë shqiptare. 

Ai i konsideroi të dhimbshme, por të domosdoshme disa prej reformave të marra nga Qeveria shqiptarë siç ishte ajo për energjinë; reforma territoriale, reforma në pensione, klima e biznesit apo reforma në administratën fiskale. 

Lidhur me ecurinë e Shqipërisë në përmirësimin e klimës së biznesit, Ahmetaj tha se kemi përmirësuar 8 nga indikatorët e të bërit biznes dhe kemi kërcyer 40 vende, një kërcim rekord i përmirësimit të klimës së biznesit. 

Ndërsa përfaqësues nga vende të Evropës thanë se qytetarët e Ballkanit vuajnë nga papunësia, dhe se i kanë sytë dhe shpresën te anëtarësimi i vendeve të tyre në BE, çka pritet të përmirësojë situatën e tyre ekonomike.