Ballkani, Ferizaj e Dukagjini në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Janë mësuar tri skuadrat e para që e kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, pas ndeshjeve çerekfinale që u zhvilluan sot. Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani mposhti Gjilanin, me rezultat 2:1. Bleart Tolaj shënoi në minutën e 13-të, ndërsa Geralb Smajli dyfishoi epërsinë në minutën e 40-të. Ndërkohë,…

Sport

04/03/2026 15:49

Janë mësuar tri skuadrat e para që e kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, pas ndeshjeve çerekfinale që u zhvilluan sot.

Në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani mposhti Gjilanin, me rezultat 2:1. Bleart Tolaj shënoi në minutën e 13-të, ndërsa Geralb Smajli dyfishoi epërsinë në minutën e 40-të. Ndërkohë, për mysafirët realizoi Senad Jaroviq në minutën e 71-të, por goli i tij nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin.

Kualifikimin e siguroi edhe Ferizaj, që në shtëpi fitoi 2:0 ndaj skuadrës së Ligës së Parë, Vushtrrisë. Epërsia erdhi pas një autogoli të portierit mysafir, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi Erion Sadriu nga penalltia në minutën e 75-të.

Fitore të thellë shënoi Dukagjini, që në Klinë e mposhti po ashtu skuadrën e Ligës së Parë, Feronikeli 74, me rezultat 3:0. Golat për vendasit i realizuan Dient Isufi (17’), Altin Mërlaku (39’) dhe Mërgim Pefqeli (72’).

Ndeshja e fundit çerekfinale ndërmjet Llapit dhe Malishevës do të zhvillohet nesër, në orën 13:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës do të luhen me sistem vajtje-ardhje.