Bajrami votuesve të VV-së: Albin Kurti e ka vlerësu se ai ju përfaqëson juve denjësisht

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj pakënaqësive që janë shprehur në radhët e mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se vetë Albin Kurti ka vlerësuar që Basha është përfaqësuesi më i denjë për këtë pozitë, duke u…

Lajme

27/08/2025 18:52

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj pakënaqësive që janë shprehur në radhët e mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se vetë Albin Kurti ka vlerësuar që Basha është përfaqësuesi më i denjë për këtë pozitë, duke u drejtuar drejtpërdrejt mbështetësve të VV-së, raporton lajmi.net

“Veç dua t’ua kujtoj të gjithë mbështetësve të LVV-së që s’janë të kënaqur me Dimal Bashën, se Albin Kurti e ka vlerësu se ai ju përfaqëson juve denjësisht, pra Dimali është vlerësimi që Albini ka për JU.”, shkroi Bajrami.

Ajo ka komentuar edhe kritikat e reja ndaj ish-ministrit Liburn Aliu, i cili së fundmi është përballur me akuza publike për keqmenaxhim dhe dështime.

“Gjithashtu dua t’ju kujtoj mbështetësve të LVV-së, që sot po e quajnë të korruptuar dhe dështak Liburn Aliun: se Liburni ka qenë ministër i Albin Kurtit për katër vjet e gjysmë, me buxhetin më të madh në vend, dhe korrupsionin e dështimet e Liburnit i ka mbrojtë Albin Kurti deri më sot.”

Në fund të postimit, Bajrami u ka bërë thirrje qytetarëve që të mendojnë në mënyrë racionale dhe të përdorin votën për të sjellë ndryshim në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale.

“Pra, mendoni recionalisht, se kemi zgjedhje lokale dhe nacionale. Qytetarët mund ta çojnë në pension me votë politikanin e korruptuar, të dështuar dhe nënçmues.”, përfundoi ajo./Lajmi.net/