Bajrami: Vendimi i GJND-së për pavarësinë fitore e madhe

Sot bëhen 15 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës me të cilin konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky vendim ishte një fitore e madhe për shtetësinë, vlerëson akademik Arsim Bajrami. Por, sipas tij, diplomacia vendore nuk e përdori mjaftueshëm…

Lajme

22/07/2025 12:35

Sot bëhen 15 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës me të cilin konfirmoi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës, nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky vendim ishte një fitore e madhe për shtetësinë, vlerëson akademik Arsim Bajrami. Por, sipas tij, diplomacia vendore nuk e përdori mjaftueshëm këtë fitore juridike për shtetin.

Rreth dy vite pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vulosi të drejtën e Kosovës për mëvetësi.

Në opinionin e saj, GJND-ja kishte konfirmuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se Kosova nuk kishte vepruar në kundërshtim me asnjë normë ndërkombëtare.

Ky vendim i GJND-së, ishte një fitore jashtëzakonisht e madhe për shtetin, thotë për Radio Kosovën akademik Arsim Bajrami.

“Ky vendim ka qenë një fitore e madhe juridike e Kosovës. Pas këtij vendimi, është dashur që Kombet e Bashkuara në mënyrë universale ta pranojnë këtë vendim të GJND-së. Duke qenë që kjo gjykatë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me asnjë akt ndërkombëtar, juridikisht është dashur që të mbyllet çështja e statusit të Kosovës dhe Kosova të anëtarësohet në OKB dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha ai.

Akademik Bajrami thotë se kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, si pasojë e vetos së Rusisë dhe Kinës, e pas kësaj filloi dialogu Kosovë-Serbi .

“Në vitin 2011 është miratuar një rezolutë e re nga OKB-ja, ku është autorizuar të fillojë dialogu teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë, dialog ky i cili jo vetëm që nuk i ka dhënë fund konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, por po e mban akoma pezull Kosovën”, tha ai.

Një fitore çfarë ka qenë konfirmimi nga GJND-ja, se Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të duhej të përdorej më mirë për forcimin e shtetësisë, pohon Bajrami.

“Diplomacia kosovare nuk është treguar pro-aktive në realizimin e kësaj fitoreje juridike. Nuk e ka përdorur këtë për një ofensivë diplomatike dhe për bindjen e shteteve mosnjohëse që ato të procedojnë me njohjen e shtetit të Kosovës. Në fakt, një fitore çfarë ka qenë ajo e GJND-së, secili shtet do ta përdorte për afirmim ndërkombëtar të tij”, tha ai.

Shkas që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të nxirrte opinion për pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, ishin ankesat dhe pretendimet e Serbisë se Pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, çka doli të ishte e pasaktë.