Bajrami pas zgjedhjeve: Qytetarët folën qartë, edhe mosdalja në votime ishte protestë
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas procesit zgjedhor, duke falënderuar qytetarët që mbështetën LDK-në, por njëkohësisht duke theksuar se edhe mosdalja e një numri të madh qytetarësh në votime përbën një mesazh të fortë politik. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se rezultatin e zgjedhjeve…
Lajme
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas procesit zgjedhor, duke falënderuar qytetarët që mbështetën LDK-në, por njëkohësisht duke theksuar se edhe mosdalja e një numri të madh qytetarësh në votime përbën një mesazh të fortë politik.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se rezultatin e zgjedhjeve e lexon si një protestë qytetare dhe një thirrje për reflektim nga të gjitha partitë politike.
“Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, qytetarët ndëshkuan subjektin që kishte shumicën e votave në zgjedhjet e kaluara, duke vlerësuar se ai e keqpërdori dhe nuk e zbatoi vullnetin e qytetarëve.
Ajo theksoi se mesazhi i votuesve ishte i qartë edhe për LDK-në, duke kërkuar më shumë punë, seriozitet dhe përkushtim në mënyrë që partia të shihet si alternativë qeverisëse.
Bajrami kritikoi gjithashtu klasën politike për krizën e zgjatur institucionale, duke thënë se zgjedhjet e njëpasnjëshme nuk u mbajtën për shkak të dallimeve programore apo zhvillimore, por për çështje që lidhen me pushtetin dhe ndarjen e pozicioneve.
“Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit, Bajrami ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda LDK-së, duke theksuar se partia është më shumë se një proces zgjedhor apo një rezultat momental dhe se duhet të rikthehet më e fortë në të ardhmen politike. /Lajmi.net/