Bajrami pas formimit të Qeverisë Kurti 4: Pyetja nuk është çka po premton Kurti, por pse nuk i bëri këto për gjashtë vjet

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar pasi në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e re e Kosovës, Qeveria Kurti 4. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se pyetja nuk është më çka po premton Albin Kurti, por pse nuk i realizoi këto premtime për gjashtë vite. Sipas saj, pas gjashtë vitesh…

Lajme

13/09/2026 16:15

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar pasi në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e re e Kosovës, Qeveria Kurti 4.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se pyetja nuk është më çka po premton Albin Kurti, por pse nuk i realizoi këto premtime për gjashtë vite.

Sipas saj, pas gjashtë vitesh në pushtet, qytetarët nuk të gjykojnë më për premtimet por për rezultatet.

“Premtoi sikur mandatin e parë po e fillon sot. Sikur nuk ka qenë në pushtet për gati gjashtë vjet. Sikur nuk e ka pasur në dorë Qeverinë, shumicën në Kuvend, mbi 20 miliardë euro buxhet dhe mundësinë për t’i bërë pikërisht ato që sot i premtoi. Por qytetarët duhet ta gjykojnë jo për atë që po premton sot, por për atë që ka bërë gjatë këtyre viteve”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka shkruar bilancin e premtimeve të tij.

“E bilanci është ky:

  • Premtoi zhvillim ekonomik e transformim – nuk e bëri. Krejt çka ka ndodhë në ekonomi është rritja enorme e çmimeve e zvogëlimi i shportës së konsumit.
  • Premtoi vende pune e mirëqenie – mijëra të rinj e profesionistë e kanë lëshuar Kosovën. Sipas EUROSTAT çdo vit nga Kosova mbi 40 mijë qytetarë marrin viza pune vetëm në BE.
  • Premtoi meritokraci – sot s’ka asnjë institucion të pavarur. Kurti sjelli militantizëm, familjarizëm dhe punësime partiake.
  • Premtoi luftë kundër korrupsionit – qeverisja e tij u karakterizua me mijëra kontrata të negociuara, tenderë me grupe të whatsapp-it e dhjetëra afera të tjera.
  • Premtoi drejtësi – gjatë gjithë kohës gati 1/3 e kabinetit e pat me ministra me aktakuza, tash edhe me të dënuar.
  • Premtoi shtet ligjor – Qeveria e tij e ka shkelur mbi 20 herë Kushtetutën.
  • Premtoi institucione të forta – sot kemi krizë institucionale, afate kushtetuese të tejkaluara dhe bllokadë gjithëandej.
  • Premtoi depolitizim – institucionet dhe ndërmarrjet publike u mbushën me militantë partiak.
  • Premtoi 160 çerdhe – nuk i ndërtoi.
  • Premtoi banesa për çiftet e reja – nuk i bëri pët gjashtë vjet.
  • Premtoi reformë në arsim – asnjë reformë, shihni rezulzatet e PISA-s. Arsimi vazhdon me probleme të vjetra e të reja, pa reformën e premtuar dhe pa përmirësimin e cilësisë. U përplas me mësimdhënësit dhe sindikatat në vend që t’i kthente në partnerë të reformës.
  • Premtoi përmirësim të shëndetësisë – listat e pritjes vazhdojnë, mungojnë barna e materiale, ndërsa qytetarët vazhdojnë të detyrohen të kërkojnë shërbime në sektorin privat. Mjekët dhe profesionistët shëndetësorë vazhduan ta lëshojnë vendin.
  • Premtoi investime kapitale – asnjë rrugë nuk përfundu që gjashtë vjet, projektet u vonuan, shumë rrugë mbetën të papërfunduara dhe miliona euro të buxhetuara nuk u shndërruan kurrë në projekte për qytetarët.
  • Premtoi ekonomi prodhuese – deficiti tregtar ka arritur rekord të paparë dhe varësia nga importi mbeti e lartë.
  • Premtoi investime të huaja – ku janë ato investime?
  • Premtoi energji dhe siguri energjetike – në vend të kësaj qytetarëve u erdh shtrenjtim të energjisë, reduktime dhe mbi një miliard euro import të energjisë.
  • KEK-u, KOSTT-i, ZRRE-ja dhe krejt sektori energjetik janë nën kontrollin e pushtetit.
  • Premtoi luftë kundër monopoleve dhe mafisë energjetike – në vend të kësaj kemi licenca për kompaninë e Vuk Hamoviqit, tregti e energjisë me kosto të lart edhe të transportit e afera të tjera.
  • Premtoi forcim të pozitës ndërkombëtare – kurrë skemi pasur marrëdhënie me të ftohta me aleatët.
  • Premtoi integrim evropian – Kosova për 960 ditë ka qënë nën sanksione nga BE-së, humbëm kohë, mundësi dhe qindra miliona euro donacione, në një periudhë kur vendet e rajonit ecën përpara.
  • Premtoi dialog me parime – sot Kosovës i rri varur në qafë marrëveshja e Bruksleit dhe ankesi i Ohrit.
  • Premtoi reciprocitet e ndryshim rrënjësor të politikës ndaj Serbisë – tregtia dhe importet nga Serbia vazhdojnë me intensitet të lartë.
  • Premtoi shtet funksional – sot Kosova përballet përsëri me bllokadë politike dhe institucionale.
  • Deputetë të betuar vazhduan njëkohësisht të ushtronin funksione ministrore.
  • Sot, filloj mandate i dytë i katër ministrive të cilat nuk figurojnë fare në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, ato ministri funksionojnë dhe të shpenzojnë para publike në kundërshtim me ligjin.
  • Gjatë këtij viti Kuvendi u la jashtë funksionit, ndërsa miliarda euro të parasë publike vazhduan të menaxhohen pa kontrollin normal parlamentar.
  • Premtoi transparencë – vendimmarrja u bë gjithnjë e më e mbyllur.
  • Premtoi përgjegjësi – për çdo dështim fajin e kishte dikush tjetër: opozita, sindikatat, prokuroria, gjykatat, mediat, bizneset, aleatët, komunat”, ka shtuar Bajrami.

Ajo ka thënë se Kurti premtoi ndryshimin, e pati pushtetin, shumicën, të gjitha institucionet, miliardat e buxhetit i pati gati gjashtë vjet ndërsa ka thënë se sot doli përsëri para qytetarëve dhe premtoi atë që nuk e bëri kur i kishte të gjitha mundësitë për ta bërë.

“Pyetja nuk është më: Çka po premton Albin Kurti? Pyetja është: Pse nuk i bëri këto për gjashtë vjet? Pas gjashtë vjetësh në pushtet, nuk gjykohesh më për premtimet, gjykohesh për rezultatet”, ka shtuar Bajrami. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: