Bajrami – Muratit: Në kohën e UNMIK-ut Kosova s’ka pasur sanksione, sot LVV po e mban shtetin peng

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati deklaroi se propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale është “kthim në kohën e UNMIK-ut”. E ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami. Bajrami në një postim në Facebook ka shkruar se vendin në kohën e UNMIK-ut e para asaj kohe e ka kthyer LVV.…

Lajme

07/05/2025 13:00

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati deklaroi se propozimi i LDK-së për qeveri tranzicionale është “kthim në kohën e UNMIK-ut”.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami.

Bajrami në një postim në Facebook ka shkruar se vendin në kohën e UNMIK-ut e para asaj kohe e ka kthyer LVV.

“Në kohën e UNMIK-ut: nuk ka pasur sanksione ndërkombëtare ndaj Kosovës, zyrtarët shtetërorë janë përgjigj institucioneve të drejtësisë e nuk i kanë mohuar ato, politikanët që kanë shkelur Kushtetutën kanë dhënë dorëheqje, nuk kanë marrë institucionet peng, Kuvendi nuk është mbledhur 12 herë me radhë për të dështuar në zgjedhjen e kryetarit”,ka shkruar Bajrami.

Ajo tutje ka shtuar se LVV është ajo që ka pranuar marrëveshje me Serbinë ku i referohet Rezolutës 1244 mbi të cilën funksionon edhe UNMIK-u.

“Sot, Kosova është në krizë sepse LVV nuk pranon që s’po mund të bëj shumicën, LVV sot e mbani shtetin peng, sepse ata e kanë interesin e partisë para interesit të shtetit e interesin personal mbi interesin qytetarë. Mos e pranoni propozimin tonë, është e drejtë e juaja, ne nuk imponojmë, ne kemi propozuar zgjidhje, urdhëro e bëjeni shumicën e mos u tallni me shtetin dhe me qytetarët”, shkroi Bajrami.

Bajrami theksoi se propozimi për qeveri tranzitore përmes marrëveshjes nuk është kundër askujt por është në të mirë të të gjithë qytetarëve.