Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Bajrami përmendi rritjet e vazhdueshme të tarifave në energji elektrike, ujë dhe barna, duke e cilësuar situatën si alarmante për qytetarët.
“A e dini se çfarë ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike gjatë mandatit të LVV-së? Edhe pse kemi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, tri herë është rritur çmimi i energjisë. Do të thotë kemi rregullator, por kemi lejuar ngritje të çmimeve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe tarifat e ujit, të cilat, siç tha ajo, janë rritur deri në 40 për qind, pavarësisht ekzistencës së rregullatorit përkatës.
Bajrami theksoi gjithashtu se rritje çmimesh ka pasur edhe në sektorin e barnave, duke kërkuar nga Qeveria të paraqesë evidenca për ulje të çmimeve, të cilat, sipas saj, nuk po vërehen në praktikë.
“Ngritja e çmimeve është alarmante. Inflacioni i marsit nuk ka qenë aq i ndikuar nga nafta, por ne do të shohim që në prill çmimet do të jenë edhe më të larta”, shtoi ajo.
Ajo shprehu gjithashtu skepticizëm për projektligjin e ri për masat e përkohshme të çmimeve, duke thënë se mekanizmat e propozuar mund të mos kenë efekt real në kontrollin e tregut.
“Ne kemi frikë që ligji, bordi dhe gjithçka është një farsë, sepse nuk do të keni mundësi me ndiku”, përfundoi Bajrami.
Derisa debati ende në Kuvend po vazhdon ku Ligji për çmimin tavan nuk ka marrë përkrahjen e opozitës. /Lajmi.net/