Bajrami kritikon Qeverinë për vonesat në pagesat e RTK-së: Prodhues të krizave, më 28 dhjetor do të marrin përgjigjen

Hykmete Bajrami nga LDK ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, duke e akuzuar ekzekutivin se ka shkaktuar qëllimisht krizë dhe vonesa të panevojshme. Bajrami tha se punëtorët e RTK-së janë lënë për një muaj pa paga, duke u përballur me protesta dhe greva, ndërsa, sipas saj,…

Lajme

27/11/2025 13:14

Hykmete Bajrami nga LDK ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, duke e akuzuar ekzekutivin se ka shkaktuar qëllimisht krizë dhe vonesa të panevojshme.

Bajrami tha se punëtorët e RTK-së janë lënë për një muaj pa paga, duke u përballur me protesta dhe greva, ndërsa, sipas saj, Qeveria ka gjetur zgjidhje vetëm pas 28 ditësh vonesë, raporton lajmi.net

Ajo e quajti kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ekipin e tij “prodhues të krizave”, duke theksuar se ata i mbajnë qytetarët të varur nga vendimet e tyre për t’u paraqitur më pas si “shpëtimtarë”.

Bajrami gjithashtu u bëri thirrje institucioneve që të ndalojnë bllokadat dhe të ulen me Komunën e Prishtinës për të gjetur zgjidhje për çështjet aktuale.

“Qytetarët paguajnë taksa për të marrë shërbime, jo për t’u maltretuar nga inskenimet dhe mashtrimet tuaja”, shkroi ajo, duke paralajmëruar se 28 dhjetori do të jetë dita kur qytetarët do t’i japin përgjigjen Qeverisë.

Postimi i plotë i Bajramit:

I paskan nda mjetet për RTK.
E kemi thënë prej ditës së parë: këta vetë janë prodhues të krizave. I lanë një muaj pa paga punëtorët e RTK-së, me protesta e greva dhe në fund jo Kuvendi po këta uzurpatorët e Qeverisë paskan gjetë zgjidhje, me 28 ditë vonesë.
Albin Kurti me klikën e tij jeton duke shkaktuar kriza, duke i bë njerëzit me vuajtë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e tij, e pastaj të dalin si shpëtimtarë, por ranë maskat.
Ndalni bllokadat, tash uluni me Komunën e Prishtinës dhe gjeni zgjdhje!
Qytetarët paguajnë taksa për me marrë shërbime, jo për me u maltretu nga inskenimet e mashtrimet tuaja.
28 dhjetori do të jetë dita kur do të merrni përgjgijen për krejt këtë keqtrajtimin që po u bëni qytetarëve!/Lajmi.net/