Bajrami kritikon Qeverinë për liberalizimin e tregut të energjisë: Nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria po e menaxhon procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për bizneset vendore dhe qytetarët e zakonshëm. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Bajrami ka thënë se vetëm dje disa prej…

Lajme

20/05/2025 11:03

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Qeveria po e menaxhon procesin e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për bizneset vendore dhe qytetarët e zakonshëm.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Bajrami ka thënë se vetëm dje disa prej deputetëve të VV-së në Qeveri kishin mbledhur odat dhe shoqatat e biznesit për të dëgjuar brengat e tyre lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë shkuar deri në 260% për rreth 1300 biznese.

“Kërkesa e bizneseve është e thjeshtë – të shtyhet për një vit vendimi për liberalizim të tregut të energjisë. Kaq,” ka thënë Bajrami,

Teksa Bajrami ka vazhduar tutje duke kritikuar ministrat duke thënë se në vend të adresimit të kësaj kërkese konkrete ministrat kanë ofruar zgjidhje që ajo i cilëson si absurde.

“Merreni me mend: një metal përpunuesi te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojë ndërtesën dhe të ndihmojnë me vokë ujin. Kaq dinë ose kaq mund të thonë, pasi veç prioritet prodhimin vendor nuk e kanë” shtoi ajo.

Po ashtu ajo kritikoi mënyrën si Qeveria i trajton bizneset tregtare, duke thënë se ata justifikohen me faktin se nuk subvencionojnë “korporata që fitojnë qindra miliona euro”, pa kuptuar se ndikimi real do ta bartin qytetarët me të ardhura të ulëta.

“Çmimet do të rriten, e do të rriten çmimet e produkteve që shiten më së shumti – do të rriten çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm, por as për qytetarët këta nuk mërziten”, ka theksuar ajo.

Ajo ka akuzuar Qeverinë për përkrahje të të ashtuquajturës “mafi energjetike”, duke përmendur se edhe Albin Kurti, para se të bëhej kryeministër kishte folur për këtë rrjet.

“Nga “duaje tënden”në ‘shkatërro tënden dhe blej nga importi’, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës,” tha Bajrami.

Ndërkaq deputetja e LDK-së, përmendi gjithashtu se gjatë qeverisjes së Kurtit, deficiti tregtar ka arritur në 19 miliardë euro, ndërsa nga viti 2001 deri në 2021 deficiti total ishte 38 miliardë euro.

Derisa në  fund, Bajrami bëri të ditur se të martën në ora 14:00, janë ftuar shoqatat e biznesit, ZRRE, Autoriteti i Konkurrencës dhe KESCO në një takim për të diskutuar situatën. /Lajmi.net/