Bajrami: Koha të ndryshohet Kushtetuta e presidenti të zgjidhet nga populli

Profesor Arsim Bajrami ka thënë se ka ardhur koha që Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga populli. “Mendoj se ka ardhur koha që të shqyrtohet ndryshimi i Kushtetutës në pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Janë pjekur kushtet për një reformë të tillë, në mënyrë që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt…

Lajme

17/02/2026 16:25

Profesor Arsim Bajrami ka thënë se ka ardhur koha që Presidenti i Kosovës të zgjidhet nga populli.

“Mendoj se ka ardhur koha që të shqyrtohet ndryshimi i Kushtetutës në pjesën që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Janë pjekur kushtet për një reformë të tillë, në mënyrë që Presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Nëse qytetarët tashmë zgjedhin drejtpërdrejt shumë institucione të tjera, pse të mos e bëjnë edhe këtë? Në rajon, shumica e shteteve e zgjedhin Presidentin drejtpërdrejt nga populli; përjashtime mbeten vetëm Shqipëria dhe Greqia, ku zgjedhja bëhet nga parlamenti. Praktika jonë ka treguar se zgjedhja parlamentare shpesh kushtëzohet nga marrëveshje dhe ‘pazare politike’, gjë që e zbeh legjitimitetin e figurës së Presidentit”, tha ai për RTK.

Sipas tij, zgjedhja e drejtpërdrejtë do t’i jepte Presidentit legjitimitet më të fortë, kredibilitet më të madh dhe mbështetje të qartë qytetare.

“Kjo do ta shmangte varësinë e tepruar nga marrëveshjet ndërpartiake dhe do ta bënte institucionin më të qëndrueshëm. Reforma kushtetuese mbetet një çështje që kërkon konsensus të gjerë politik, por mendoj se është koha që seriozisht të hapet debati për këtë ndryshim”, tha ai.

Profesor Arsim Bajrami, i cili ka qenë njëri ndër shkruesit e Kushtetutës së Kosovës, ka folur dhe për procesin e hartimit të Kushtetutës.

“Kam pasur fatin historik të jem i përfshirë në proceset kushtetuese që nga viti 1991, duke filluar me Kushtetutën e Kaçanikut, më pas me Kornizën Kushtetuese dhe më vonë me dokumentet e Rambujesë. Kjo e bën përvojën tonë specifike, sepse ndërtimi kushtetues i Kosovës ka kaluar nëpër disa etapa të rëndësishme historike. Kushtetuta aktuale ka dalë nga rinegocimi i marrëveshjeve për pavarësinë e Kosovës dhe nga procesi i udhëhequr mbi bazën e Planit të Ahtisaarit. Personalisht kam udhëhequr delegacionin e Kosovës në negociatat me ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe kemi arritur të miratojmë një Kushtetutë jashtëzakonisht të mirë, e cila e përkufizon dhe e bën Kosovën shtet si de facto ashtu edhe de jure. Ajo e konsolidoi Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur”, tha ai.

Sipas tij, kjo Kushtetutë është treguar e qëndrueshme dhe e suksesshme, pavarësisht sfidave që i janë bërë nga politika dhe nga përplasjet për formimin e pushtetit ndër vite.