Bajrami i reagon Muratit: Inflacioni është kontribuesi kryesor i rritjes së të hyrave buxhetore, pse s’po e përmend?

Deputetja dhe kandidatja e LDK-së edhe për një mandat, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati se për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro, duke arritur realizim 100% të planifikimit vjetor, ende pa përfunduar viti. Bajrami ka thënë se sa…

Lajme

26/12/2024 12:21

Deputetja dhe kandidatja e LDK-së edhe për një mandat, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati se për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro, duke arritur realizim 100% të planifikimit vjetor, ende pa përfunduar viti.

Bajrami ka thënë se sa herë dikush flet për ekonominë e vendit tonë duke përjashtuar nga ekuacioni inflacionin, po thotë të pavërteta.

“Ministri, i cili në fillim të mandatit i’a rriti pagën vetës për rreth 45%, po tallet me qytetarët. Ai po lavdërohet se si i ka rritur të hyrat buxhetore dhe shpenzimet kapitale, por askund, asnjëherë nuk përmend inflacionin (rritjen e çmimeve), i cili vetëm në vitin 2022 ka qenë 11.6%, më i larti në historinë e pasluftës”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, edhe nëse investimet kapitale në vitin 2024 arrijnë në 600 milionë euro, prapëseprapë janë më të vogla se ato të vitit 2018, sepse kemi pasur 22% inflacion.

“Le të supozojmë se i arrini 600 milionë investimet kapitale në vitin 2024, por kur këto i indeksojmë për normën e inflacionit, që është 22% në kumulativ për katër vite, vlera reale e 600 milionëve është vetëm 468 milionë euro. Kjo do të thotë se investimet kapitale të vitit 2024, në terma realë, janë më të ulëta se ato në vitin 2018, që kanë qenë 530 milionë euro.”, ka shkruar Bajrami në Facebook.