Bajrami godet Qeverinë: Nga 75 në 206 euro për MWh – ky është realiteti, unë s’do të ndalëm ta shpërfaqi

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar sërish ashpër ndaj qeverisë Kurti dhe mbështetësve të saj, duke thënë se akuzat ndaj saj nuk do ta ndalin të flasë për realitetin në sektorin e energjisë. Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami tha se ndonëse po përballet me sulme dhe “linçime”, ajo do të vazhdojë të…

Lajme

22/11/2025 13:40

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar sërish ashpër ndaj qeverisë Kurti dhe mbështetësve të saj, duke thënë se akuzat ndaj saj nuk do ta ndalin të flasë për realitetin në sektorin e energjisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami tha se ndonëse po përballet me sulme dhe “linçime”, ajo do të vazhdojë të publikojë të dhëna dhe fakte që, sipas saj, dëshmojnë dështimet e qeverisë në menaxhimin e energjisë, transmeton lajmi.net.

“Mua sinqerisht më vjen keq që për 5 vite, të vetmit hajna që janë shku në burg janë ata të 2.1 milionëshit, ndërsa të tjerët i ka marrë Albin Kurti në mbrojtje”, shkroi ajo, duke rikujtuar se LDK-ja “nuk ka qenë në qeveri kur është privatizuar distribucioni i KEK-ut”, por se ky proces ka ndodhur “në kohën e Mimoza Kusarit”.

Bajrami theksoi se faturat e energjisë dhe të dhënat për importet, të cilat i ka publikuar më herët, tregojnë efektet e drejtpërdrejta të politikave të kësaj qeverie: “Rritja e konsumit, rritja e çmimit, rritja e importit – që të gjitha të paguara me taksat e qytetarëve dhe djersën e rinisë që ka ikë në mërgim”.

Ajo shtoi se bizneset po përballen me rritje drastike të çmimit të energjisë, nga 75 euro për MWh në 206 euro, duke e quajtur këtë “realitet të pamohueshëm”.

“Nuk do të ndalem ta shpërfaq këtë realitet”, përfundoi Bajrami, duke u bërë thirrje kritikëve të saj që të ndalen me “shpifje e linçime”./lajmi.net/