Bajrami akuzon Qeverinë në dorëheqje: Ministria e Drejtësisë po hap konkurse në kundërshtim me ligjin
Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj shpalljes së konkurseve për tri pozita udhëheqëse në Ministria e Drejtësisë, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta në prag të shpërndarjes së Kuvendit, Ministria e Drejtësisë…
Lajme
Ish-deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj shpalljes së konkurseve për tri pozita udhëheqëse në Ministria e Drejtësisë, duke i cilësuar ato si të kundërligjshme.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta në prag të shpërndarjes së Kuvendit, Ministria e Drejtësisë ka hapur edhe tri konkurse të reja për pozita drejtuese.
Bëhet fjalë për pozitën e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe drejtorit të përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Bajramit, këto veprime janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë, përkatësisht nenin 31, i cili përcakton kufizimet e një qeverie në dorëheqje.
“Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërguar vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka theksuar se institucionet që lidhen me drejtësinë dhe administrimin e pasurisë së sekuestruar nuk duhet të bëhen pjesë e, siç e quajti ajo, “valës së konkurseve joligjore”.
Ajo ka kërkuar që qeveria e ardhshme t’i ndalë këto procese, të rishikojë konkurset e shpallura gjatë kësaj periudhe dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen me profesionistë të pavarur dhe me integritet. /Lajmi.net/