Bajraktari: Vdekjet në vendin e punës duhet të jenë alarm për institucionet e Kosovës
Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, ka vlerësuar se vdekjet në vendin e punës duhet të shërbejnë si alarm serioz për institucionet e Kosovës. Bajraktari ka theksuar se këto raste po ndodhin kryesisht për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë në punë nga punëdhënësit, si dhe mungesës së kontrolleve adekuate. Ai…
Lajme
Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Naim Bajraktari, ka vlerësuar se vdekjet në vendin e punës duhet të shërbejnë si alarm serioz për institucionet e Kosovës.
Bajraktari ka theksuar se këto raste po ndodhin kryesisht për shkak të moszbatimit të masave të sigurisë në punë nga punëdhënësit, si dhe mungesës së kontrolleve adekuate.
Ai ka shtuar se në vend mungojnë inspektimet shtetërore dhe masat ndëshkuese, duke theksuar se kontrollet duhet të jenë më të shpeshta dhe më të rrepta, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, ku sipas tij ndodhin më së shumti aksidente fatale.
“Vdekjet në vendin e punës sigurisht që duhet të jenë alarm për institucionet e vendit, por po e përsërisim se të gjitha këto vdekje po ndodhin për shkak të mosmarrjes së masave të sigurisë në punë nga punëdhënësit dhe mungesës së kontrollit në terren. Dëgjuam që janë aktivizuar Inspektorati dhe Prokuroria, por pse të mos ketë mbikëqyrje parandaluese, para se të ndodhin rastet? Në Kosovë, këto raste po ndodhin kryesisht në ndërtimtari, sepse nuk respektohen masat e sigurisë në punë. Punëtori nuk guxon të dalë në punë i papërgatitur, pa pajisje personale mbrojtëse, të cilat duhet të jenë të testuara dhe të kontrolluara, pasi një defekt në pajisje mund të shkaktojë lëndime deri në fatalitet. Pra, nuk ekziston kontrolli. Na mungojnë shumë kontrollet shtetërore dhe sanksionet, dhe nuk ka frikë nga ndëshkimi te asnjë punëdhënës,” ka deklaruar ai në Tëvë1.
Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për rritjen e numrit të inspektorëve në Inspektoratin e Punës, pajisjen e tyre me mjete të nevojshme për inspektim, si dhe shqiptimin e gjobave më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të sigurisë.
Sipas tij, pa masa ndëshkuese dhe kontroll të vazhdueshëm, nuk mund të arrihet përmirësim në sigurinë në vendin e punës.