Bajraktari: Kushtetuesja përcaktoi afatin, por jo çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet
Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, megjithëse ka caktuar afatin 30-ditor, nuk ka qartësuar pasojën në rast të kalimit të tij. Bajraktari tha se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet, por në këtë rast, sipas tij, ka munguar…

Lajme
Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit, megjithëse ka caktuar afatin 30-ditor, nuk ka qartësuar pasojën në rast të kalimit të tij.
Bajraktari tha se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet, por në këtë rast, sipas tij, ka munguar qartësia e nevojshme në disa elemente kyçe të aktgjykimit.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim nga gjyqësori dhe të gjitha palët e adresuara. Megjithatë, në këtë aktgjykim ka mungesë qartësie, sidomos sa i përket pasojave që ndodhin pas përfundimit të afatit 30-ditor”, u shpreh Bajraktari.
Ai shtoi se edhe pse në pjesën arsyetuese aktgjykimi është relativisht i qartë, në dispozitiv mungojnë elemente thelbësore që do ta bënin atë të plotë dhe pa dilema ligjore.
“Pjesa arsyetuese është e shkruar mirë, por nuk u dha një përgjigje eksplicite për disa prej çështjeve të adresuara nga subjektet politike. Do të ishte ndihmuese që Gjykata të trajtonte pyetjet e ngritura, për të sqaruar edhe nëse veprimet e kryesuesit teknik para publikimit të aktgjykimit kanë qenë në përputhje me Kushtetutën”, theksoi ai.
Bajraktari tha se mungesa e specifikimit të pasojës pas afatit 30-ditor lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe paqartësi institucionale.
“Gjykata ka caktuar afatin, por nuk ka specifikuar se çka ndodh pas përfundimit të tij. Kjo nënkupton se nuk e ka qartësuar në mënyrë të mjaftueshme situatën në rastin konkret”, theksoi ai.