Bajqinovci: Reagimi i AGK-së ndaj mediave ishte i nxituar, e vërteta nuk mund të quhet sulm

Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje mohoi se ai u përfshi në një fushatë kundër mediave dhe gazetarëve. Ai tha në një reagim ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se kishte nuk kishte sulmuar, por kishte thënë “të vërtetën”. “AGK paska reaguar duke përmendur emrin tim, kinse ne po zhvillojmë fushatë agresive dhe po rrezikojmë punën…

Lajme

23/03/2026 18:14

Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje mohoi se ai u përfshi në një fushatë kundër mediave dhe gazetarëve.

Ai tha në një reagim ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se kishte nuk kishte sulmuar, por kishte thënë “të vërtetën”.

“AGK paska reaguar duke përmendur emrin tim, kinse ne po zhvillojmë fushatë agresive dhe po rrezikojmë punën e gazetarëve. Së pari, të jemi të qartë: ne kemi shpërndarë vetëm një video publike të gazetarit Kreshnik Gashi nga BIRN-i. Asgjë më shumë. E vërteta nuk mund të quhet sulm. Transparenca nuk është kërcënim”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Bajqinovci e cilësoi “të nxituar” reagimin e AGK-së.

“Në vend të deklaratave të nxituara, Prokuroria duhet të merret seriozisht me të gjithë ata që marrin para nga UDB-ja e Serbisë dhe që tentojnë të ndikojnë opinionin publik në Kosovë. Liria e medias nuk mbrohet duke heshtur përballë ndikimeve të jashtme, por duke i ekspozuar ato”, shkroi ai.