Bahtiri: Vendimi i Kushtetueses është skandaloz e i porositur, u krijon mundësi pazarxhinjve

Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për Kryeministër është i dëmshëm për demokracinë.

Lajme

01/06/2020 17:03

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se si pasojë e këtij vendimi, edhe në të ardhmen do t’iu krijohet mundësi, siç ka thënë ai, pazarxhinjve dhe humbësve për ta krijuar qeverinë pa fituesin e përcaktuar nga populli.

Postimi i plotë: 

Të dashur qytetarë,

Unë nuk kam dashur të deklarohem deri në publikimin e plotë të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit, ku sot u zhgënjeva edhe më shumë e më keq, se sa me rastin e publikimit të vendimit fillestar.

Ky vendim mendoj që është skandaloz, i porositur, i dëmshëm për demokracinë dhe do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen, ku do të kemi problem si shtet për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe me legjitimitet që buron nga vullneti i qytetarëve.

Si pasojë e këtij vendimi, edhe në të ardhmen do t’iu krijohet mundësi pazarxhinjve dhe humbësve për ta krijuar qeverinë pa fituesin e përcaktuar nga populli.

Prandaj, e ritheksoj se vendi duhet të shkoj në zgjedhje, sepse kjo është rruga më e drejt dhe më demokratike.

Ju bëjë apel gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, që ta tregojnë vullnetin e tyre për të shkuar në zgjedhje përmes nënshkrimit të peticionit. AB. /Lajmi.net/