Babai i Alban Skënderajt rrëfen 16 ditët më të vështira të jetës së tij (Foto)

Alban Skenderaj njihet nga pothuajse të gjithë, si një këngëtar i suksesshëm dhe një mashkull i zoti.

ShowBiz

05/02/2017 18:09

Ai nuk ka pasur se si të mos jetë i tillë kur buron nga një familje e përkyer me një baba si Qerim Skënderajnjeri që fjalës i jep peshë dhe emocion, shkruan lajmi.net

68-vjeçari në një intervistë të fundit për Dita-n, ka rrëfyer për jetën e tij të cilën nuk e ka pasur edhe aq të lehtë por me mund, forcë dhe besim arrihet gjithçka.

Ai jeton në Itali ndërsa largimin nga Shqipëria e ka pasur të vështirë. Qerim Skënderaj ka treguar gjithashtu se në moshën 5 vjeçare i ka vdekur babai dhe është rritur në mungesë të tij.

Thotë se në fëmijërinë e tij ka frymuar lirshëm, dhe prej atëherë i ka mbetur në gjak letërsia. Por t’i vdes dikuj babai kur ai është vetën 5 vjeç nuk është fare e lehtë.

”Brenga e ndarjes së babait nga jeta kur unë ende nuk isha pesë vjeç, ka qenë permanente. Kur dikë nga moshatarët e mi e thërriste i ati, gjendesha aty për të dëgjuar ç’këshilla e qortime i adresonte të birit. Nëna ime e ka mbuluar mrekullisht edhe rolin e tij, por brengën nuk ma fshiu dot nga zemra. Do të ndihesha disi më i qetë kur shkrova e botova një poemë kushtuar babait të munguar për një jetë”, tregon ai, transmeton lajmi.net.

Për vendimin që ta braktis Shqipërinë dhe sa ka mundur të ambientohet ai është përgjigjur.

”Vendimin për të emigruar nuk e mora unë. Këtë vendim e morën dy djemtë e mi të mëdhenj në mesin e viteve nëntëdhjetë. Kur mbërritën moshën e punës, as unë dhe as vendi i tyre nuk u ofroi një punë të gjenin veten dhe të ndërtonin të ardhmen. Emigruan dhe e rimbollën pemën e familjes në një tokë tjetër që i pranoi si punëtorë dhe si qytetarë. Aty, në Toscana (Toskanë), në qytetin Pistoia, me histori mbi dymijëvjeçare, bashkia e parë në Itali dhe më gjerë, shpallur kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2017, më i populluari me shqiptarë në Itali, vendosën të rindërtojmë çerdhen tonë familjare. Pas dy të mëdhenjve, “ikën” e u bashkuan me ta edhe dy më të vegjlit. Ky vendim i dytë, më bëri të ndihem jetim. Ç’të bëja? Çfarë të prisja më? I futa krahun sime shoqeje dhe iu bashkova vendimit të tyre” ka thënë ai duke shtuar:

”Kjo pyetje më çon në fillimet e mia si emigrant. Toka e “huaj”, atdheu i huaj, gjuha e huaj, jo vetëm të hutojnë pak, por edhe të trembin shumë. Pyetja e parë që lind është: “a do t’ia dalë dot të komunikoj me këta njerëz, me këtë gjuhë?” Koka të mbushet me lloj-lloj pyetjesh të tjera, sa që truri nuk i përballon dot dhe i shkakton dhimbje të padurueshme. Stresi bëhet shtresë dhe nuk e fshin dot asnjë “fshesë”. Kështu u ndjeva edhe unë në fillimet e mia si emigrant. Më trembte rregulli, qetësia, veprimi i fortë i ligjit. Pas dhjetë vjet kaosi në Shqipëri, të shfaqej përpara një gjendje krejt tjetër, në të cilën duhej të integroheshe. Isha në moshë të avancuar, kur truri është i mbushur dhe i pranon me vështirësi gjërat e reja. Megjithatë unë i kisha disa favore. Shtëpinë e gjeta “të ngritur” e të mobiluar. Të tre djemtë e mëdhenj ishin në punë, por edhe unë isha në moshë pune dhe po më hante parazitizmi. Këmbëngula, kërkova, gjeta punë dhe hap pas hapi nisa të integrohesha në mënyrë modeste. Italia më pëlqen shumë. Toskana më mrekullon. Natyra e saj më magjeps. Pa këto bukuri, e them me bindje, do të kisha vdekur artistikisht. S’ka më të tmerrshme se vdekja e gjallë”.

Atij nga Shqipëria i mungon shqipja  e folur. Thotë se e merr shumë malli të flas, të diskutoj e të analizoj në gjuhën tonë të mrekullueshme e shumë të pasur letrarishte. Tani që është në pension thotë se flet vetëm me nipër e mbesa. Bën gjithçka që t’ua përcjell atyre si pasuri shumë të vyer.

Qerimi thotë se për vete ka filluar të shkruaj që tridhjetë vjeç, ndërsa për publikun në vitin 1991, kur mori jetë shtypi i lirë. Frymëzimin e merr nga gjithçka që e vibron telat e zemrës. Është motivi që atë e ngërthen e nuk e ndahet deri sa i shkon në fund asaj që i urdhëron shpirti. Lëvrojë poezinë, romanin dhe prozën e shkurtër.

Skenderaj ka katër djem, Albanin me tre vëllezër dhe për ta pasur një vajzë ai dhe bashkëshortja e tij e kanë pasur më shumë se dëshirë.

Përveç Albanit edhe tre djemt e tjerë të tij kanë lidhje të ngushtë me artin dhe këtë i ati i tyre e përshkruan më së miri.

”Albani e ka shkruar biografinë e tij dhe do të ishte e tepërt që unë si baba, të shtoja ca fjalë më shumë. Ai është njëri nga katër djemtë, që i dua më shumë se jetën time. Edhe tre të tjerët kanë lidhje të ngushta me artin. Më i madhi, Martini, është piktor dhe zotëron ide të fuqishme për artin në përgjithësi. I dyti, Arbëri, është shumë i talentuar dhe po ta kishin sjellë rrethanat apo fati, mund të ishte shfaqur si kantautor i suksesshëm. Ka shkruar e kënduar një këngë shumë të bukur, që tani për tani nuk dëshiron t’ia bëjë të njohur publikut. I fundit, Taulanti, laureuar në inxhinieri mekanike, është edhe poet i mirë. Ka gati për botim librin e parë me poezi në italisht. Ndërsa Albani, tashmë i konfirmuar si artist me nivel, genin tim për të shkruar bukur e ka shkulur me rrënjë, ndërsa artin muzikor e ka ngjitur ne lartësi të reja, që më mrekullojnë e më bëjnë të ndihem krenar. Do të jepja gjithçka, përfshi edhe shpirtin tim, që t’i shoh gjithmonë të lumtur e të plotësuar”.

Si gjysh për të pestën herë me radhë, Qerim Skenderaj sigurisht se ndihet i bekuar, nipërit e mbesat ia mbushin zemrën plot.

Me vajzën e Albanit ‘takohet’ nëpërmjet llogarisë në rrjetin social ‘Skype’ ku thotë se mrekullohet nga cicërimat e saj të cilat i quan si si kanarinë lozonjare./Lajmi.net/