Azemin e VV-së nuk e mbush mend dënimi me burg, sulmon gjyqtarët, i quan të nënshtruar të Serbisë: Qantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën
Deputeti i VV-së, Egzon Azemi ka reaguar pasi u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Bashkë me të u dënua me 1 vit e 6 muaj edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Maxhuka, transmeton lajmi.net. Po ashtu me nga 6 muaj u dënuan edhe Qerim Elshani…
Lajme
Deputeti i VV-së, Egzon Azemi ka reaguar pasi u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Bashkë me të u dënua me 1 vit e 6 muaj edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Maxhuka, transmeton lajmi.net.
Po ashtu me nga 6 muaj u dënuan edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Manxhuka dhe Azemi më 28 dhjetor 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiu, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak””, thuhet në aktakuzë.
Pas këtij dënimi ka reaguar Azemi duke sulmuar gjykatësit, duke thënë se ata janë të nënshtruar nga Serbia.
Postimi i plotë:
Ata që lirojnë terroristët serb që gjuajn bomba duan të na denojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali.
Arlind Manxhuka dhe unë sot u dënuam nga 1 vit e 6 muaj burg, pa asnjë provë nga sistemi i vjetruar i drejtësisë që liron terroristët serb.
Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuan me nga 6 muaj burgim.
Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë.
Pra në total 4 vite burg për ata reagojnë kur lirohen kriminelët serb që gjujan bomba e vrasin policë.
Qantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë krimenlë serb e neve na denojnë veç pse reagojmë!/lajmi.net/