Azemi: Tre viktima brenda një dite, situata alarmante për sigurinë në punë në Kosovë
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ashpër pas humbjes së jetës së tre punëtorëve brenda një dite, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe tejet shqetësuese për kushtet e sigurisë në punë në Kosovë. “Shqetësuese është vet fakti se sot kemi humbur tre jetë punëtorë të sektorit privat…

Lajme
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ashpër pas humbjes së jetës së tre punëtorëve brenda një dite, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe tejet shqetësuese për kushtet e sigurisë në punë në Kosovë.
“Shqetësuese është vet fakti se sot kemi humbur tre jetë punëtorë të sektorit privat të Kosovës. Mund të themi se faktori njeri është deri tek rasti i vdekjeve të punëtorëve,” u shpreh Azemi.
Ai bëri të ditur se ka vizituar personalisht vendin e njërit prej aksidenteve, ku mbeti i tronditur nga ajo që pa.
“Realisht, personalisht kam shkuar dhe kam vizituar vendin e ngjarjes, kam fotografuar dhe shikuar me sytë e mi vendin e ngjarjes,” deklaroi ai.
Azemi kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet kompetente për të ndalur zinxhirin e vdekjeve në vendin e punës.
“Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” theksoi ai në RTVDukagjini.
Ai shtoi se edhe sot është regjistruar një tjetër rast tragjik, ku një punëtor ka ndërruar jetë nga lëndimet e marra ditë më parë në vendin e punës.
Kryesindikalisti Azemi i bëri thirrje institucioneve që të mos qëndrojnë indiferente dhe të marrin masa konkrete për garantimin e kushteve bazike të sigurisë për punëtorët në sektorin privat, në mënyrë që jeta e askujt të mos rrezikohet për shkak të neglizhencës.