Azemi: Raportimet e sotme dëshmojnë se në aferat korruptive të Martinit e Nagipit janë të përfshira instancat më të larta të LVV-së

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi sot para një konference për media ka deklaruar se kjo Qeveri përveç braktisjes së ushtrisë ka braktisur edhe luftën kundër korrupsionit. Sipas Azemit, kjo Qeveri është e zhytur në korrupsion, shkruan lajmi.net. “Kjo Qeveri kishte premtuar se do ta bëj Dubravën 12 kat e në fakt si erdhën…

Lajme

14/10/2024 18:35

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi sot para një konference për media ka deklaruar se kjo Qeveri përveç braktisjes së ushtrisë ka braktisur edhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas Azemit, kjo Qeveri është e zhytur në korrupsion, shkruan lajmi.net.

“Kjo Qeveri kishte premtuar se do ta bëj Dubravën 12 kat e në fakt si erdhën në pushtet morën në mbrojtje mafinë energjetike në krye me Martinin e Nagipin. Në realitet, ajo që po shohim është se korrupsionin nuk e kanë ndërmend ta luftojnë e duart i kanë gjithçka përveç se të pastra. Dëshmitë dhe raportimet e sotme tregojnë qartë për përfshirjen direkte të instancave më të larta të Lëvizjes Vetëvendosje në aferat korruptive të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit. Jo shumë kohë më parë, LVV i cilësonte reagimet tona në lidhje me këtë çështje si të pavërteta por sot e pamë se në mesazhet e publikuara qysh atëherë këta vet e kishin pranuar korrupsionin. Mos të harrojmë se kjo qeveri e mbrojti me ngulm Martin Berishajn gjatë raportimeve të shumta për aferat e tij korruptive në tregun e energjisë. Sot, po shohim se Dejona Mihaili ishte në komunikim të vazhdueshëm me Nagip Krasniqin në lidhje me Martin Berishajn dhe po bindemi plotësisht se kjo Qeveri e ka mbrojtur njeriun e korruptuar duke qenë plotësisht në dijeni për vërtetësinë e akuzave”, ka thënë Azemi.

Ai ka thënë se LDK i mbështet organet e drejtësisë në hetimet e tyre në lidhje me aferat korruptive dhe do të vazhdojnë angazhimin partiak derisa gjithë akterët e korruptuar të gjenden para drejtësisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë gjithnjë e zëshme kundër korrupsionit dhe do të vazhdoj të jetë e tillë, qoftë atij që përfshin Nagipin e Martinin dhe atyrë të cilët kanë shfrytëzuar krizën energjetike për të përvetësuar milionat e qytetarëve tane. Gjithashtu, duam ta ritheksojmë se keqpërdorimet më të mëdha në krizën energjetike ishin në KEK duke vazhduar edhe me tenderët njëburimor apo sekret të cilët shkuan në vlera multimilionëshe”, ka shtuar Azemi në një konferencë për media. /Lajmi.net/