AVONET me dyshime të forta për kundërligjshmëri në përdorimin e kamerave të qytetit nga Policia e Kosovës për shqiptimin e gjobave trafiku

Në njoftimin e publikuar nga vet Policia e Kosovës, theksohet se “kundërvajtësit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë në qytet” dhe se “gjobat u dërgohen në shtëpi përmes Postës së Kosovës”. Kjo praktikë, përkundër prezantimit si arritje institucionale, ngre dyshime të forta për kundërligjshmëri, pasi nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që i jep policisë të…

Lajme

23/10/2025 17:19

Në njoftimin e publikuar nga vet Policia e Kosovës, theksohet se “kundërvajtësit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë në qytet” dhe se “gjobat u dërgohen në shtëpi përmes Postës së Kosovës”.

Kjo praktikë, përkundër prezantimit si arritje institucionale, ngre dyshime të forta për kundërligjshmëri, pasi nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që i jep policisë të drejtën për të shqiptuar gjoba kundërvajtëse në këtë formë, thuhet në njoftimin e AVONET.

Ligji për Policinë dhe Ligji për Trafikun Rrugor nuk parashohin autorizim për përdorimin e kamerave të qytetit në shqiptimin e gjobave kundërvajtëse. Këto kamera janë të destinuara për sigurinë publike, parandalimin dhe hetimin e veprave penale, dhe jo për gjurmimin apo ndëshkimin e kundërvajtësve në trafik.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, veçanërisht nenit 75, të dhënat e mbledhura nga kamerat mund të përdoren vetëm për parandalimin e kërcënimeve ndaj shtetit dhe sigurisë publike apo për ndjekjen penale të krimeve.

Çdo përdorim për qëllime të tjera, si ai i shqiptimit të gjobave kundërvajtëse bie në kundërshtim me këtë dispozitë dhe përbën tejkalim të kompetencave dhe autorizimeve ligjore. Duke qenë se neni 75 është normë specifike (lex specialis) që mbisundon ndaj nenit 5 të LMDHP, Policia nuk mund të justifikojë përdorimin e kamerave për gjoba me argumentin e interesit publik. Një interpretim i tillë përbën shkelje të parimeve të përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale dhe cenon të drejtën e privatësisë së qytetarëve.

Në bazë të këtyre rrethanave, AVONET ka ngritur dyshime të forta për kundërligjshmëri në këtë praktikë të re të Policisë së Kosovës, të cilën organizata do ta trajtojë në nivel institucional dhe me akterët relevantë, me qëllim të garantimit të ligjshmërisë, transparencës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.