Avonet: Komuna e Prishtinës t’i kthejë mjetet e inkasuara kundërligjshëm nga qytetarët te “Pastrimi”

Gjykata Supreme ka marrë vendim që kërkesëpadia e Komunës së Prishtinës në lidhje me caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të “Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave”, të miratuar nga Kuvendi i Komunës më 1 dhjetor 2023, të plotësuar me 05.12.2024 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare…

Lajme

04/06/2025 22:29

Gjykata Supreme ka marrë vendim që kërkesëpadia e Komunës së Prishtinës në lidhje me caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të “Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave”, të miratuar nga Kuvendi i Komunës më 1 dhjetor 2023, të plotësuar me 05.12.2024 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2024, të shpallet e pabazuar.

Kjo rregullore përcakton se faturat për shërbimin e mbeturinave duhet të paguhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A., ndërsa Gjykata Supreme ka vendosur që kjo rregullore mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet, duke e cilësuar të pabazuar kërkesën për pezullim të përkohshëm, raporton Klankosova.tv.

Për këtë çështje ka reaguar rrjeti i OJQ-ve AVONET, e cila thotë se është e shqetësuar thellë lidhur me sjelljen institucionale të Komunës së Prishtinës, e cila, përmes padisë së paraqitur në Gjykatën Supreme, ka kontestuar një akt normativ të miratuar nga vetë Kuvendi i Komunës, si organi më i lartë vendimmarrës në nivel komunal, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

AVONET vlerëson se ky veprim përbën një përdorim të papranueshëm të të drejtave procedurale, për sa kohë që ekzekutivi komunal ka ndërmarrë hapa juridikë të pa bazë kundër një akti normativ të ligjshëm të nxjerrë nga organi përfaqësues i qytetarëve, e ligjshmëria e të cilit ishte konfirmuar edhe nga MAPL dhe MMPHI.

“Për më tepër, AVONET shpreh shqetësimin serioz për faktin se Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Plotësim Ndryshimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, ka vazhduar të inkasojë mjete financiare nga qytetarët për shërbimin e mbeturinave, ndonëse këto pagesa, sipas aktit në fuqi, do duhej të kryheshin drejtpërdrejt në KRM ‘Pastrimi’ Sh.A. Këto veprime shqetësuese janë një sinonim i shkeljes flagrante të parimeve të ligjshmërisë dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike dhe kjo sjellje ka rrezikuar seriozisht funksionimin financiar dhe operativ të ndërmarrjes publike KRM Pastrimi, punëtorët e së cilës për ditë me radhë janë në grevë para Komunës së Prishtinës. Natyrisht, ata të cilët më së shumti kanë pësuar janë qytetarët e Komunës së Prishtinës”, thotë AVONET.