AVONET kërkon anulimin e një tenderi 743 mijë eurosh të Ministrisë së Kulturës, kërkon edhe hetim të zyrtarëve

Organizata AVONET ka kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit të iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit për angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas reagimit të AVONET-it, bëhet fjalë për tenderin me numër 207-26-5948-2-1-1, me vlerë të parashikuar…

Lajme

05/08/2026 16:58

Organizata AVONET ka kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit të iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit për angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas reagimit të AVONET-it, bëhet fjalë për tenderin me numër 207-26-5948-2-1-1, me vlerë të parashikuar prej 743 mijë eurosh, për të cilin organizata thotë se është përdorur procedura e prokurimit publik për të angazhuar staf që do të kryejë detyra të përhershme institucionale, raporton lajmi.net

AVONET thekson se Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta, sipas Rregullores për Prokurimin Publik, mund të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe për ekspertizë specifike, ndërsa në këtë rast janë paraparë angazhime për periudha 12 dhe 36-mujore me orar të plotë pune.

Postimi i plotë:

AVONET kërkon anulimin e procedurës së prokurimit dhe hetimin e zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit

AVONET, në kuadër të mandatit të saj për monitorimin e ligjshmërisë, transparencës dhe integritetit në prokurimin publik, pas analizimit të dokumentacionit të tenderit me nr. 207-26-5948-2-1-1, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me procedurën e iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT), me vlerë të parashikuar prej 743,000 euro, për angazhimin e 26 personave përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV), të njohura si kontrata mbi vepër.

Nga analiza juridike dhe faktike e dosjes së tenderit rezulton se kjo procedurë nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi dhe përbën përdorim të gabuar të procedurës së prokurimit publik, me qëllim të angazhimit të personelit për kryerjen e detyrave të rregullta të institucionit.

Sipas nenit 57 të Rregullores për Prokurimin Publik, Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta mund të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme për angazhimin e ekspertëve që ofrojnë ekspertizë specifike ose shërbime profesionale të veçanta, të cilat institucioni nuk mund t’i sigurojë përmes kapaciteteve të veta ose përmes procedurave të rregullta të rekrutimit të përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publikë, legjislacionin e punës dhe aktet tjera përkatëse.

Megjithatë, procedura e iniciuar nga MKT parasheh angazhimin dhjetrave personave për periudha 12 dhe 36 mujore, me orar të plotë pune, çka tregon qartë se bëhet fjalë për marrëdhënie të vazhdueshme pune dhe jo për shërbime të veçanta apo ekspertiza të përkohshme.

Në mesin e profileve të kërkuara figurojnë arkitektë, inxhinierë, ekspertë ligjorë, koordinatorë administrativë, administratorë të databazës, interpretues muzealë, specialistë teknikë dhe profile të tjera që ushtrojnë funksione të zakonshme administrative, profesionale dhe operative brenda strukturës së Ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj.

Analiza e përshkrimeve të punës, sipas dosjes së tenderit dëshmon se këto pozita kanë karakter të përhershëm dhe lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e përditshëm të institucionit, duke përfshirë administrimin e dokumentacionit, koordinimin administrativ, mbështetjen teknike, menaxhimin e bazave të të dhënave, organizimin e aktiviteteve, administrimin e hapësirave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe vizitorët. Asnjë nga këto detyra nuk përfaqëson shërbim të veçantë apo ekspertizë të jashtme që do të justifikonte përdorimin e Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.

Përdorimi i procedurave të prokurimit publik për sigurimin e personelit që kryen detyra të vazhdueshme institucionale krijon dyshimin se mund të jetë anashkaluar qëllimi i legjislacionit për prokurimin publik dhe se është përdorur një instrument juridik për realizimin e një qëllimi që duhet të trajtohet përmes procedurave të administrimit të burimeve njerëzore.

AVONET ka marrë parasysh edhe njoftimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i cili thekson rëndësinë e respektimit të natyrës juridike të procedurave dhe obligimin e autoriteteve kontraktuese që çdo veprim ta ndërmarrin në përputhje me ligjin, me qëllimin e instrumenteve të prokurimit dhe me parimet e transparencës, konkurrencës dhe menaxhimit të drejtë të parasë publike.

Në këto rrethana, AVONET vlerëson se ekziston dyshimi i bazuar se procedura e prokurimit është iniciuar në kundërshtim me qëllimin e legjislacionit për prokurimin publik dhe mund të përbëjë shmangie të procedurave të rregullta të rekrutimit në sektorin publik, duke krijuar mundësi për angazhime që nuk respektojnë parimet e ligjshmërisë, konkurrencës, transparencës, trajtimit të barabartë dhe meritokracisë.

Një praktikë e tillë cenon rëndë parimet themelore të administratës publike, krijon precedent të rrezikshëm për përdorimin e prokurimit publik si mekanizëm për plotësimin e vendeve të punës dhe bie ndesh me qëllimin për të cilin janë krijuar Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta.

Për më tepër, nëse vërtetohet se kjo procedurë është iniciuar me vetëdije në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, atëherë mund të lindë përgjegjësi administrative, disiplinore dhe penale për zyrtarët përgjegjës, veçanërisht nëse veprimet ose mosveprimet e tyre kanë shkaktuar ose kanë synuar të shkaktojnë dëm ndaj interesit publik apo të favorizojnë forma të kundërligjshme të angazhimit të personelit. Çdo përdorim i procedurave të prokurimit publik në kundërshtim me destinimin e tyre ligjor duhet të hetohet nga organet kompetente, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale, nëse nga faktet rezultojnë elemente të ndonjë vepre penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprat tjera kundër detyrës zyrtare.

AVONET, kërkon nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit anulimin e menjëhershëm të procedurës së prokurimit nr. 207-26-5948-2-1-1, pasi e njëjta nuk është në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik dhe me qëllimin ligjor të Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta.

AVONET, kërkon që nevojat për personel të adresohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe legjislacionin tjetër në fuqi.

AVONET, kërkon nga organet mbikëqyrëse dhe kompetente që të shqyrtojnë ligjshmërinë e kësaj procedure dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme administrative dhe ligjore.

AVONET, fton organet e ligjzbatuese që të iniciojnë hetime për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të të gjithë zyrtarëve që kanë marrë pjesë në inicimin, miratimin dhe zhvillimin e kësaj procedure./Lajmi.net/